Bruksel, të enjten bisedime në nivel ekspertësh Kosovë-Serbi

22/07/2020 18:53

Kosova dhe Serbia pritet të vazhdojnë nesër (të enjten) në Bruksel bisedimet në nivelin e ekspertëve, gjatë të cilave pritet të diskutohen çështja e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të zhvendosurit dhe bashkëpunimi ekonomik. Bisedimet që rifilluan javën e kaluar, pas 20 muaj pezullimi, sipas autoriteteve në Prishtinë synojnë arritjen e një marrëveshje normalizimi dhe njohje të ndërsjellë me Serbinë, por zyrtarë të kësaj të fundit kanë hedhur poshtë çdo mundësi për një marrëveshje për njohje. Më hollësisht njofton korrespodenti i “Zërit të Amerikës”, Leonat Shehu.

Grupet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen nesër në Bruksel për të diskutuar çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, çështjen e të zhvendosurve dhe bashkëpunimin ekonomik.

Të tri këto çështje janë shtruar në tryezën e bisedimeve të së enjtes së kaluar në Bruksel në përballjen e parë të kryeministrit Hoti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian të cilat rifilluan pas një pezullimi prej 20 muajsh.

Delegacioni i Kosovë pritet të udhëhiqet nga bashkërenduesi shtetëror për bisedimet me Serbinë, Skender Hyseni, i cili një ditë më parë u emërua në këtë post nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Në përputhje me platformën tonë për procesin e dialogut edhe vendimin e qeverisë të marr para dy jave, unë kam emëruar dje zotin Skender Hyseni si koordinator shtetëror për procesin e dialogut. Ai flet në emër timin në tavolinën e dialogut, ai ka këtë kompetencë, do të thotë më përfaqëson mua si kryeministër në procesin e dialogut. Nesër ai është në Bruksel bashkë me zotin Makolli që merret me çështjen e të pagjeturve për të draftuar marrëveshjen finale për çështjen e të pagjeturve”, tha kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti u gjet nën kritika në Kosovë ku thuhet se me Serbinë duhet të diskutohet vetëm për njohje dhe duhet shmangur çdo mundësi që procesi të stërzgjatet me diskutime teknike.

Kryeministri Hoti tha se Kosova ka hyrë në bisedime për të përmbyllur marrëveshjen me Serbinë e cila përfshinë sipas tij dy gjëra, njohjen e ndërsjellë dhe normalizim të marrëdhënieve.

Ne kemi hyrë në dialog për të Me këto qëllime kemi hyrë në këtë proces në dakordim me miqtë tanë ndërkombëtarë. Dialog është për të përmbyllur marrëveshjen me Serbinë”, tha ai.

Beogradi ndërkaq hedh poshtë çdo mundësi për një marrëveshje që do të çonte në njohjen e Kosovës, por normalizimi i marrëdhënieve është kusht për integrimet evropiane që aspirohen nga të dyja palët.

Bisedimet e ndëmrjetësuara nga Bashkimi Evropian filluan në vitin 2011 dhe ato pasuan një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që u hapi rrugën bisedimeve teknike që më pas u shdnërruan në bisedime politike.

Rezoluta u miratua pak kohë pasi që në korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nxori vlerësimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008 nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Kërkesa për vlerësim ishte dorëzuar nga Serbia./VOA/

Top Channel