Bllokohet kufiri me Greqinë/ Telashe për ata që u lejohet të kalojnë me aplikacionin e regjistrimit

22/07/2020 15:37

Që prej mesnatës së djeshme, shumë qytetarë që zotërojnë një mjet identifikimi grek apo i përkasin komunitetit homogjen në Shqipëri kanë tentuar që të hyjnë në Greqi prej pikëkalimit të Kakavijës, por shumë njerëz kanë ngelur të izoluar midis tokës shqiptare dhe asaj greke pasi nuk kishin plotësuar formën e detyrueshme të aplikimit online.

Kjo formë e quajtur Passenger Locator Form është konsideruar nga autoritetet greke si një element kyç për planifikimin e mëtejshëm të udhëtimit në Greqi. Kështu qytetarët duhet të plotësojnë brenda kësaj forme të dhënat e tyre mbi adresën, mbi vendqëndrimin e mëparshëm, të japin detaje mbi adresën e ditës së parë, 24 orët e para dhe gjithë itinerarin e udhëtimit të tyre.

Në palën greke po kryhet një testim selektiv për Covid-19 dhe për qytetarët që përzgjidhen do të duhet të dihet me siguri vendndodhja e tyre e deklaruar në këtë format. Mungesa e informacionit por edhe pamundësia teknike për ta plotësuar këtë formë që është në anglisht në faqen e internetit www.travel.gov.gr  ka detyruar shumë qytetarë që ti drejtohen personave privatë të palicensuar për këtë shërbim për t’ju plotësuar këtë formë aplikimi online.

“Tani ka vajtur burri ta bëjë. U futa dje por nuk gjeta asgjë, ishte e pamundur. Kam 2 fëmijë në makinë po presim të bëjmë aplikimin.”

“Nuk e dinim fare, jemi të painformuar për këto gjëra. Sa vijmë këtu tani na thonë do paguani 10 Euro për të bërë aplikimin për të kaluar tek greku se nuk na pranon të futemi. Sistemi nuk e tregon fare që duhet bërë aplikimi në kufi.”

“Këtu kam 3 orë dhe e keqja është këtu që turp për shtetin që nuk informon. Më kërkojnë targën e makinës që të aplikoj. Unë kam ardhur me makina të rastit. Kam 30 vjet në Greqi por nuk e dija që duhej bërë aplikimi.”

“Kam 2 orë. Na thonë do aplikoni këtu që të ikni tutje. Ne nuk dimë ta bëjmë.”

“Nuk e bëjmë dot vetë do ta bëjmë privatisht, jemi të detyruar.”

“Po vij nga Tre Urat. Atje nuk punonte dogana. Nuk di gjë për aplikimin online. Më thanë ik do kalosh.”

Kakvija brenda këtij sistemi nuk është ende aktive si pikëkalim  çka po konfizon më së shumti qytetarët. Ajo çka është e mundur të plotësojeh si hyrje për në Greqi  është vetëm pikëkalimi i Promahonas në Bullgari. Këtë po bëjnë edhe individët privatë të cilët po ju shërbejnë qytetarëve aktualisht në Kakavije. Pala shqiptare k ndërhyrë në mëngjes për të zgjidhur këtë situatë dhe për ta kuptuar më mirë për qytetarët e saj. Në parim është rënë dakord se megjithëse në aplikim duket pikëkalimi Promahona qytetarët mund të kalojnë nga Kakavija. Kjo duket se do të jetë e vlefshme vetëm për sot për shkak të dyndjes së njëkohëshme dhe mungesës së informacionit ndërsa nga nesër të gjithë ata që aplikojnë duhet të presin 48 orë deri në mbërritjen e një kodi të posatçëm individual i cili garanton hyrjen në Greqi dhe do të jetë i vetmi mjet i pranuar nga autoritetet greke.

Top Channel