Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti është ftuar nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Këtë informacion e ka konfirmuar vetë Ahmeti për TV21.

“Po, është e vërtetë. Më ka ftuar Specialja dhe do të shkoj”, tha Ahmeti.

Ahmeti është ftuar nga Specialja në rolin e dëshmitarit.

Paraprakisht Gjykata Speciale intervistoi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin në lidhje me luftën e Kosovës me Serbinë. Nuk dihet nëse edhe ftesa e Ahmetit ka të bëj me intervistimin ose jo të Thaçit.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti më vonë edhe në ‘Facebook’ bëri të ditur se është i ftuar nga Dhomat e specializuara të Republikës së Kosovës, gjegjësisht nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Të nderuar qytetarë, sundimi i ligjit dhe arritja e drejtësisë së mirëfilltë joselektive, vendore dhe ndërkombëtare, janë synim dhe detyrim i imi i përhershëm në të gjithë veprimtarinë time”

“Andaj, ju njoftoj që Dhomat e specializuara të Republikës së Kosovës, gjegjësisht prokuroria speciale e Kosovës, më ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe pa hamendje kam pranuar ftesën si dhe kam vendosur kontakt konstruktiv dhe bashkëpunues me zyrtarët në Hagë. Gjithmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit”, shkruan Ahmeti.

Top Channel