Top Talk: Reforma në Drejtësi në ngërç. Juristi Sokol Hazizaj del me propozime konkrete

21/07/2020 18:47

Në emisionin “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar juristi i njohur Sokol Hazizaj.

Gjatë fjalës së tij, Hazizaj argumentoi kolapsin e krijuar në Reformën në Drejtësi në vendin tonë dhe gjithashtu përmendi disa pika, të cilat sipas tij do të ishin zgjidhja. Ndër të tjera, ai shtoi se eksperimentimi që është bërë në Reformën në Drejtësi do të jetë me pasoja afatgjata, gjurmët e së cilës mund të shihen edhe pas 30 viteve.

Sokol Hazizaj: Ne jemi jo vetëm në mungesë të Gjykatës Kushtetuese sepse kjo enë është bosh, por ne jemi të mungesë të Gjykatës së Lartë, një enë tjetër që furnizon Gjykatën Kushtetuese. Po ne kemi bosh për shkak të ndryshimeve Kushtetuese, enën e Gjykatës së Apelit, për të furnizuar Gjykatën e Lartë, por ne kemi bosh edhe enën e gjykatave të shkallëve të para, për të furnizuar gjykatat e apelit dhe më tej. Pra ne jemi në numër të reduktuar të atyre që janë të domosdoshëm për të zgjidhur çështjet e të drejtës midis qytetarëve dhe jemi të plotësuar me numrin e organeve që e menaxhojnë një pushtet bosh.

Denis Dyrnjaja: Ju bëtë një konstatim, mua më duhet zgjidhja sepse konstatimin e kemi bërë të gjithë që reforma ka krijuar probleme, nuk kemi Gjykatë Kushtetuese kemi disa anëtarë të Gjykatës së Lartë, jemi në pritje të krijimit të Gjykatës Kushtetuese. Ka një konflikt politik për çështjen e Gjykatës Kushtetuese, president mazhorancë. Pyetja është themelore, si e mendoni ju zgjidhjen.

Sokol Hazizaj: Atëherë zgjidhjet janë ligjore, duke i dhënë hapësirë lirisë. Duke rritur numrin e kritereve jo profesionale, por kritereve të tjera që në një vend mund të jene gjithmonë cenim ndaj të drejtës së qytetarit, atëherë pushtetet do të ngelin bosh, ose do të dekurajohen kapacitetet. Zgjerimi i hapësirave të lirisë për të marrë pjesë të gjithë ata të cilët mendojnë se janë profesionist në fushën e të drejtës, por duke mos e kufizuar në mënyrë të tmerrshme për shkak të pamundësisë të formalizmit të ekonomisë pas viteve 90 do t’i jepte zgjidhje. Së dyti furnizimi me numër të madh të shkollës së magjistraturës dhe kushtëzimi i saj në vite, jo duke e bërë atë si në vitin 94, por duke i dhënë hapësira e formimit të magjistratëve, jo vetëm në fushën e gjyqësorit por edhe në fushën e administratës publike dhe ligjbërjes po ashtu. Rritja e hapësirës së pjesëmarrësve duke mos vendosur kufij në magjistraturë. Ka disa elementë të cilët e zhbllokojnë situatën, pse jo edhe rekrutimi për shkak të heqjes së limitit të kohës, të pjesëmarrësve në konkurrim për të hyrë në pushtetin gjyqësor nga kategori të tjera profesionistësh, nga kategoria e pedagogëve të universiteteve, nga kategoria e avokatisë. Ti mund t’i krijosh mundësi magjistrave prokurorë për të kaluar në gjyqësor.

Denis Dyrnjaja: Është ideuar keq Reforma në Drejtësi, apo është zbatuar keq që kemi këtë produkt të avashtë, të dyshimtë.

Sokol Hazizaj: Unë besoj duke u marrë si sistem reforma dhe duke mos pasur një eksperiencë diku, por duke u konsideruar si vend eksperimental Shqipëria si gjithmonë, nuk janë parashikuar dëmet që do t’i sillnit kujt? Jo gjyqësorit, nuk bëhet fjala për gjykatat. I sollën dëm zgjidhjes të së drejtës qytetare, ky është problemi. Nuk është problemi që ne do të mbetemi pa gjykata, sepse ne jemi pa gjykata ndërkohë. Çështja është se sot në Gjykatën e Lartë dhe kudo ka numër të madh dosjesh. Dhe një sistem i pa provuar na krijonte mundësinë neper të refuzuar dhe për të bërë eksperimental në çdo fushë. Mund të gjendeshin vende të tjera për të eksperimentuar një reformë tërësore siç është kjo. Çështja është që kur një brez e humbet të drejtën qoftë për katër pesë vite, është shumë e vështirë për t’u riparuar koncepti dhe praktika e të drejtës 20 apo 30 vite, kështu që ka të bëj me jetën tonë.

Top Channel