Marrëveshja me opozitën parlamentare, Rama: I kënaqur, nesër mbledhim Këshillin Politik

21/07/2020 20:52

Kryeministri Edi Rama me anë të një deklarate për mediat, është shprehur i kënaqur me marrëveshjen e arritur me opozitën parlamentare mbrëmjen e sotme për Reformën Zgjedhore për sa i përket hapjes së listave dhe ndryshimeve kushtetuese.

Rama është shprehur se është i bindur që do të arrijë votat e nevojshme për të miratuar edhe marrëveshjen e 5 qershorit si dhe ndryshimet kushtetuese.

Më tej kryeministri ka thënë se që nesër do të mblidhet këshilli politik për të diskutuar ecurinë e marrëveshjeve.

“I kënaqur se kemi arritur një konsensus të gjerë dhe pse jo total, për të votuar me 23 korrik marrëveshjen e 5 qershorit. dhe një konsensus të plotë jo vetëm për të votuar me 23 korrik ndryshimet për të hapur listat. Do të japin mundësi që përveç partisë të kenë votë edhe për deputetin. Por edhe për procesin gjithëpërfshirës edhe me opozitën jashtë parlamentare. Do të ishte mirë të mblidhej Këshillit Politik dhe të diskutohet. Kemi hapur një diskutim para pak kohe, dje. Jemi në kushtet ku duhet të diskutojmë se opozita jashtëparlamentare kërkonte datën dhe ja ku e mori. Pasnesër. Kemi nevojë të bashkëpunojmë dhe për mënyrën se si do të reflektohet në ligjin zgjedhor. Votimi i 30 korrikut më pas, për hapjen e listave” tha Rama.

“Kemi pasur sinjale inkurajuese, nga dy kryetarët e dy grupeve të tjera. Murriz është kundër, por do ishte mirë të bashkohej në një konsensus. Por kam bindjen se do ta kalojmë. Siç e dimë të gjithë në opozitë nuk ka unifikim por ka edhe individë të pavarur. Nesër do të miratohet futja në rendin e ditës. Për të arritur një mbështetje sa më të gjerë.” tha më tej Rama.

“Kjo është marrëveshja dhe është parlamenti që ka të drejtën të vendos për gjithçka që është përtej 5 qershorit. Uroj që nesër të mblidhemi me këshillin Politik. Damianit  i kam thënë që nesër të mbledhim Këshillin dhe të diskutojmë. Marrëveshja e sotme si ajo e 5 qershorit janë dokumente që nga letra të kthehen në ligj kushtetues.”

Top Channel