Marrëveshja e PS-së me opozitën parlamentare, reagon PD: Plan diabolik i Ramës, i vetmi qëllim është ai i ndalimit të koalicioneve

21/07/2020 21:59

Pas marrëveshjes së arritur sonte në mbrëmje mes Partisë Socialiste dhe opozitës parlamentare për miratimin e ‘5 qershorit’ dhe hapjen e listave, ka ardhur edhe një reagimin nga Partia Demokratike.

Opozita e bashkuar e ka quajtur marrëveshjen e sotme si një plan të djallëzuar të kryeministrit Edi Rama. Sipas tyre kjo vjen fillimisht që të miratojë për fasadë Marrëveshjen e 5 Qershorit, të vërë në lojë partnerët ndërkombëtarë, SHBA dhe BE dhe të ndalojë koalicionet si subjekt zgjedhor.

Deklarata e PD-së:

Ndryshimi i njëanshëm kushtetues për ndalimin e koalicioneve zgjedhore zhbën të dyja marrëveshjet politike për zgjedhjet, atë të 14 Janarit dhe atë të 5 Qershorit.

Akti i sotëm është dëshmi e planit diabolik të Edi Ramës që të miratojë fillimisht për fasadë Marrëveshjen e 5 Qershorit, të vërë në lojë partnerët tanë strategjikë, SHBA dhe BE dhe vetëm 1 javë më vonë ta zhbëjë marrëveshjen me ndryshime të njënashme kushtetutese, që ndalojnë koalicionet si subjekt zgjedhor.

Edi Rama gënjen, kur thotë se po hap listat, sepse pjesën fituese të tyre, 1/3 e listës, e mban të mbyllur, duke dalë zbuluar se i vetmi qëllim është ai i ndalimit të koalicioneve si subjekt zgjedhor.

Zhbërja nga Edi Rama i marrëveshjeve të 14 Janarit dhe 5 qershorit përbën një akt të rrezikshëm me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin e vendit.

Ky akt i paprecedentë në 30 vite pluralizëm është, po kështu, një thyerje e rëndë e besimit të partnerëve strategjikë SHBA dhe BE që u investuan, përshëndetën dhe vazhdojnë të insistojnë në zbatimin e Marrëveshjes së 5 qershorit pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që e shkatërrojnë atë.

Ky akt tinzar prej frikacaku tregon tmerrin e kryeministrit në ikje nga zgjedhjet dhe rotacioni i pashmangshëm. Opozita e Bashkuar garanton të gjithë qytetarët se do të bëjë gjithçka, që faturën e rëndë që ky akt sjell për demokracinë, stabilitetin dhe integrimin e vendit ne Bashkimin Europian, ta paguajë vetëm Edi Rama dhe jo Shqipëria e shqiptarët.

Top Channel