Dopietë e Cristiano Ronaldos, Juve rigjen fitoren dhe prek titullin e 9 kampion radhazi

21/07/2020 00:04

Dopieta e Cristiano Ronaldos ka rikthyer Juventusin te fitorja që mungonte prej 3 javēsh, pasi bardhezinjtë ia dolën të triumfojnë 2-1 ndaj Lazios dhe të shkëputen me +8 pikë në krye të renditjes, kur kanë mbetur edhe 4 javë nga fundi i kampionatit.

Pjesa e parë ishte e balancuar, me Juventusin më të qartë në manovrën sulmuese, por asnjë prej skuadrave nuk ia doli të zhbllokojë rezultatin, duke shkuar në pushim me rezultatin e bardhë 0-0.

Starti i pjesës së dytë ishte mjaft i mirë për bardhezinjtë e Sarrit, që në minutën e 50′ fituan një penallti, të cilën arbitri Orsato e akordoi me ndihmën e VAR-it, pas një prekjeje me dorë të Bastos.

Nga pika e 11-metërshit shkoi i zakonshmi Cristiano Ronaldo, i cili gjuajti saktë dhe mposhti Strakoshën, duke u dhënë avantazhin bardhezinjve.

Vetëm 3 minuta më vonë ishte mbrojtësi Francesco Acerbi që djallosi gjithçka me menaxhimin e një topi në mesfushë, duke u dhënë mundësinë Dybalës dhe Ronaldos të nisen të vetëm me Strakoshën.

Ylli argjentinas u tregua mjaftueshëm altruist, pasi zgjodhi të shërbejë për Ronaldon, i cili shënoi me portën e boshatisur, duke dyfishuar avantazhin e Juves dhe duke shkuar në krye të listës së golshënuesve me 30 gola.

Lazio u përpoq të reagojë dhe arriti të rihapë takimin me Ciro Immobilen, i cili fitoi një penallti dhe e shndërroi po vetë në gol, duke barazuar Ronaldon me 30 realizime.

Goli u dha zemër kryeqytetasve, që i shkuan pranë barazimit me njē goditje dënimi mjeshtërore të Milinkovic-Savic, por Szczesny realizoi një grushtim po aq spektakolar sa gjuajtja e serbit.

Deri në fund bardhezinjtë menaxhuan mirë avantazhin dhe u rikthyen te fitorja e munguar në tre javët paraardhëse, ndërsa me tre pikët e marra sot, ka vënë duart mbi titullin kampion të 9 radhazi nga i cili e ndan vetëm matematika.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA