Britania pezullon marrëveshjen e ekstradimit me Hong Kongun

21/07/2020 03:49

Qeveria e Britanisë pezulloi të hënën traktatin e saj të ekstradimit me Hong Kongun dhe bllokoi shitjet e armëve në ish territorin britanik, pasi Kina vendosi një ligj të ri të ashpër të sigurisë kombëtare.

Ndërsa tensionet me Pekinin po rriten, Sekretari i Jashtëm Dominic Raab tha se ai kishte shqetësime në lidhje me ligjin e ri dhe për pohimet për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kinë, veçanërisht ato që lidhen me trajtimin e pakicës ujgure. Ai i përshkroi vendimet e marra të hënën si “të arsyeshme dhe proporcionale”. “Ne do të mbrojmë interesat tona jetike”, tha zoti Raab. “Ne do të mbrojmë vlerat tona dhe do të kërkojmë llogaridhënie nga Kina për detyrimet e saj ndërkombëtare.”

Sekretari britanik Raab pasoi shembullin e Shteteve të Bashkuara, Australisë dhe Kanadasë duke pezulluar marrëveshjet e ekstradimit me Hong Kongun. Embargoja e armëve është një zgjerim i një vendimi të vitit 1989 për Kinën. Kjo do të thotë që Britania nuk do të lejojë eksporte të armëve potencialisht vdekjeprurëse, përbërësve të tyre ose municioneve si dhe pajisjeve që mund të përdoren për shtypje të brendshme si pranga, armë zjarri dhe granata tymuese.

Rishikimi i masave të ekstradimit vjen vetëm disa ditë pasi Britania hoqi dorë nga plani për t’i dhënë kompanisë kineze të telekomunikacionit, Huawei një rol në rrjetin e ri të telefonisë celulare me shpejtësi të lartë në mes të shqetësimeve amerikane për sigurinë, të shkaktuara nga rritja e tensioneve midis Pekinit dhe fuqive perëndimore. Qeveria e kryeministrit Boris Johnson ka kritikuar tashmë vendimin e Kinës për të vendosur një ligj të ri gjithëpërfshirës të sigurisë kombëtare në Hong Kong. Britania ka akuzuar qeverinë e Pekinit për një shkelje serioze të Deklaratës së Përbashkët Sino-Britanike, në bazë të së cilës Britania ia ktheu Kinës kontrollin e Hong Kongut në vitin 1997, dhe njoftoi se do të hapte një rrugë të veçantë për nënshtetësinë për rreth 3 milionë banorë të kualifikuar të qytetit.

Pekini ka kundërshtuar masën. Ambasadori i Kinës në Britani, Liu Xiaoming, së fundmi e përshkroi vendimin si “ndërhyrje të rëndë” në punët e brendshme kineze. Zoti Liu tha për emsionin e gazetarit Andrew Marr të kanalit BBC të dielën se Britania ishte “duke vepruar në njejtën linjë” me Shtetet e Bashkuara dhe kundërshtoi akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj komunitetit ujgur me shumicë myslimane. Ai akuzoi vendet perëndimore se po përpiqen të krijojnë telashe me Kinën. “Njerëzit thonë se Kina (po) bëhet shumë agresive. Kjo është plotësisht e gabuar”, i tha ai rrjetit BBC. “Kina nuk ka ndryshuar. Vendet perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara e filluan këtë të ashtuquajtur Luftë të Ftohtë të re ndaj Kinës”, shtoi ambasadori kinez./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA