SHBA, Qëllohet për vdekje djali i gjykatëses federale, plagoset bashkëshorti

20/07/2020 18:05

Një person i armatosur qëlloi për vdekje djalin 20-vjeçar të një gjykatëseje federale dhe plagosi bashkëshortin e saj në banesën e tyre në Nju Xhërsi, para se të largohej nga skena e ngjarjes, sipas zyrtarëve të gjyqësorit.

Personi u shfaq i veshur si postier i pakove të dielën në banesën e gjykatëses Esther Salas në qytetin North Bransuik, tha Kryetarja e Gjykatës së Distriktit, Freda Wolfson për agjencinë e lajmeve Associated Press. Bashkëshorti i saj, avokati mbrojtës, Mark Anderl, mbeti i lënduar nga sulmi, tha zonja Wolfson.

Gjykatësja Salas ishte në katin përdhes të banesës në atë moment dhe nuk u lëndua nga sulmi, sipas një zyrtari të gjyqësorit që foli në kushte anonimiteti për Associated Press.

Autori i aktit, që besohet se veproi individualisht, ishte veshur me uniformën e kompanisë postare FedEx. Sipas zyrtarëve ai nuk është kapur ende. Agjencitë federale njoftuan përmes Twitterit se po kërkojnë një të dyshuar për këtë incident.

20-vjeçari Daniel Anderl, student në universitet, ishte fëmija i vetëm i gjykatëses, sipas zyrtarit.

Gjykatësja Salas, e cila punon në Nuark, u emërua nga Presidenti Obama dhe emërimi i saj u konfirmua në 2011. Para punës si gjykatëse federale ajo ka punuar në Nju Xhërsi si ndihmës gjykatëse, ndërsa më parë ka qenë avokate mbrojtëse për shtatë vjet.

I pyetur nëse mendonte që incidenti kishte lidhje me punën e gjykatëses apo me klimën aktuale politike, Gjykatësja Wolfson tha se “për momentin nuk e dimë”.

Ndër çështjet që ka gjykuar Gjykatësja Salas, më të bujshmet kanë qenë gjykimi për mashtrim financiar kundër çiftit Teresa dhe Joe Giudice, të njohur nga një emision televiziv “reality show”, të cilët gjykatësja i dënoi me burgim për avazion fiskal dhe mashtrime të tjera.

Në 2017, ajo nuk lejoi prokurorët federalë të kërkonin dënimin me vdekje kundër një individi të akuzuar si kreu i një bande kriminale, të akuzuar për disa vrasje në Nuark, duke thënë se kapaciteti i kufizuar mendor e mbronte personin nga dënimi kapital. Më pas gjykatësja i dha 40 vjet burg personit.

Kohët e fundit, gjykatësja ka drejtuar seancat gjyqësore kundër Deutsche Bank, pas padisë së investitorëve, të cilët e kanë akuzuar këtë bankë për dokumentacion mashtrues për politikat kundër pastrimit të parave dhe për dështim në përgjegjësinë e saj për të kontrolluar për klientë “të rrezikshëm”, përfshirë Jeffrey Epstein, i shpallur fajtor për krime seksuale.

Senatori demokrat Bob Menendez, i cili e mbështeti emërimin e zonjës Salas si gjykatëse federale, tha në një deklaratë të dielën “Jam pranë familjes Salas me lutjet e mia dhe lutem që personat përgjegjës për këtë akt të shëmtuar të kapen pa vonesë e të sillen para drejtësisë”.

Në një deklaratë të shpërndarë me email, guvernatori demokrat i Nju Xhërsit, Phil Murphy e cilësoi incidentin “një akt të pamendueshëm” dhe shtoi se “kjo tragjedi është një tjetër shembull që na kujton se dhuna nga armët e zjarrit mbetet një krizë në vendin tonë dhe se ende nuk ka përfunduar puna për t’i bërë komunitetet tona më të sigurta”./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA