Regjistrohen edhe 8 viktima nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

19/07/2020 18:34

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se edhe tetë persona të sëmurë me COVID-19, kanë vdekur.

Viktimat janë pesë nga Shkupi dhe nga një nga Tetova, Struga dhe Kërçova. Me këtë, numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 422, prej tyre vetëm në Shkup janë 170.

Sa i përket të infektuarve me koronavirus, në 24 orët e fundit janë regjistruar 127 raste të reja dhe prej tyre; në Shkup janë 57 raste, ndërsa numër më i vogël është regjistruar në 12 qytete tjera.

Instituti i Shëndetit Publik ka thënë se edhe 83 persona janë shëruar nga COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi. Të dhënat i referohen testimit të 904 mostrave. Që nga paraqitja e rastit të parë në muajin shkurt, në Maqedoninë e Veriut janë kryer gjithsej 85,820 teste dhe prej tyre me COVID-19 janë rezultuar 9,153 raste. Nga ky numër, 422 pacientë kanë vdekur, 3,921 raste janë ende aktive, ndërsa 4,810 persona janë shëruar.

Pavarësisht numrit në rritje të të infektuarve dhe të vdekurve, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka thënë se institucionet nuk planifikojnë vendosjen e masave kufizuese.

“Nuk mund të jetojmë të mbyllur dhe me masa kufizuese. Epidemia do të zgjasë edhe pas zbulimit të vaksinës derisa nuk vaksinohet një përqindje e mjaftueshme e popullatës”, ka deklaruar ministri Filipçe duke bërë të ditur se për masa shtesë mund të flitet vetëm në raste të mbushjes së kapaciteteve shëndetësore.

Ai edhe një herë ka bërë thirrje për respektimin e masave për mbrojtje nga infektimi.

“Mbajtja e maskës, mbajtja e distancës fizike dhe pastrimi i duarve, janë mënyra e vetme me të cilin ne mund të dalim nga kjo situatë. Numri i të sëmurëve mund të ulet vetëm nëse i respektojmë masat parandaluese”, ka deklaruar Filipçe.

Top Channel