Francesco Caputo vijon të shënojë dhe mbrëmjen e sotme ka dërguar topin në rrjetë për herë të 18 në këtë sezon, por goli i 33-vjeçarit nuk i ka mjaftuar Sassuolos që të marrë fitoren në transfertën ndaj Cagliarit.
Pas një ndeshjeje fantastike ndaj Juventusit të mërkurën në mbrëmje, djemtë e De Zerbit zhvilluan një tjetër 90-minutësh mjaft të mirë në “Sardegna Arena” ndaj Cagliarit, por pavarësisht dominimit, nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1.
Sfida u zhbllokua në minutën e 12’, kur pas një krosimi nga këndi, Francesco Caputo u shërbye në shtyllën e dytë dhe shtyu sferën në rrjetë, ndërsa gjërat u bënë edhe më të lehta për Sassuolon pasi në minutën e 48’ Carboni u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la vendasit me një lojtar më pak.
Megjithatë Cagliari ia doli të barazojë në një nga rastet e rralla që krijoi, ose më saktë në gjuajtjen e vetme në kuadrat, pasi Joao Pedro kombinoi bukur me Rog dhe gjuajti saktë brenda zonës për t’u dhënë një pikë të tijve.
Me këtë barazim Sassuolo del përfundimisht nga gara për një vend në zonën europiane të renditjes, ndërsa Cagliari prej disa javësh respekton kampionatin, pasi nuk ka më asnjë objektiv për të cilin të luajë.
Top Channel