Kryeprokurori i SHBA-së: Kina po bën luftë ekonomike

17/07/2020 10:25

“Kina është e angazhuar në një “luftë ekonomike” për të dëmtuar Shtetet e Bashkuara si superfuqi e vetme në botë”, deklaroi Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr.

Kjo deklaratë është më e fundit e një serie komentesh të ashpra ndaj Pekinit nga zyrtarë të lartë të administratës Trump.

“Kina përdor një shumëllojshmëri taktikash grabitqare, shpesh të paligjshme për të siguruar avantazh ndaj SHBA-së. Mënyra se si do të reagojnë Shtetet e Bashkuara ndaj kësaj sfide do të ketë ndërlikime historike dhe do të përcaktojë nëse Amerika dhe aleatët e saj liberalë demokratë do të vazhdojnë të formësojnë fatin e tyre apo nëse e ardhmja do të kontrollohet nga Partia Komuniste e Kinës dhe degët e saj autokrate”, shprehet William Barr, kryeprokuror i SHBA-së.

Ndër praktikat e pandershme që dyshohet se përdoren nga Kina, Barr renditi manipulimin e monedhës, çështjen e tarifave, kuotave, investimet dhe blerjet strategjike të drejtuara nga shteti, vjedhjen dhe transferimin e detyruar të pronësisë intelektuale, subvencionet shtetërore, sulmet në internet dhe spiunazhin. Pekini i ka kundërshtuar prej kohësh shumë nga pohimet e bëra në fjalimin e kryeprokurorit.

Ministri i Jashtëm kinez paralajmëroi përpara dy ditësh se Pekini do të hakmerret me sanksione ndaj individëve dhe subjekteve amerikane. Sakaq, administrata e Presidentit Trump po shikon mundësinë e ndalimit të udhëtimeve për të gjithë anëtarët e Partisë Komuniste Kineze dhe familjet e tyre, një hap që do të përkeqësonte edhe më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.

Top Channel