Deklarata që u fshi dje/ Parlamenti Evropian zbut qëndrimin për Shqipërinë: E rëndësishme të ruhet dialogu dhe konsensusi

17/07/2020 09:40

Parlamenti Europian ka ripublikuar deklaratën e cila u fshi dje dhe kësaj radhe me një gjuhë më të moderuar.

Në këtë deklaratë ndryshe nga deklarimi djeshëm nuk përmenden ndryshimet kushtetuese, ku thuhej se: Çdo modifikim i Marrëveshjes pa arritur një konsensus me të gjitha partitë politike mund të rrezikojë thirrjen e konferencës së parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për këtë arsye të ngadalësojë procesin e integrimit evropian.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme David McAllister (EPP, DE), Raportuesi i përhershëm për Shqipërinë Isabel Santos (S&D, PT) dhe Kryetari i Delegacionit të Parlamentit për Shqipërinë Manolis Kefalogiannis (EPP, EL) kërkuan nga Parlamenti i Shqipërisë të miratojë me shpejtësi Marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore.

Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis Qeverisë dhe Opozitës më 5 qershor. Është e rëndësishme të arrihet një marrëveshje, të ruhet dialogu dhe konsensusi me të gjitha partitë politike, në mënyrë që të mund të thirret konferenca e parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për këtë arsye të vazhdojë procesin e integrimit evropian.

Çdo vend është i lirë të vendosë dhe përmirësojë sistemin e tij zgjedhor sipas kontekstit kombëtar dhe konsensusit. Sidoqoftë, praktikat më të mira ndërkombëtare rekomandojnë që çdo ndryshim në sistemin zgjedhor duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duke filluar të paktën një vit para zgjedhjeve të ardhshme të planifikuara. Ne besojmë se Shqipëria do t’i respektojë këto rekomandime dhe do të punojë më tej drejt arritjes së rezultateve të qëndrueshme në fushat kryesore të reformës”, thuhet në deklaratën e publikuar sot.

Më tej në deklaratë thuhet se: “Parlamenti Evropian është i përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit evropian dhe është i gatshëm të punojë me Parlamentin shqiptar në lehtësimin e dialogut dhe ndërtimin e konsensusit mbi reformat thelbësore në fushat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe përgjegjshmërisë që janë të domosdoshme për BE-në e vendit të ardhmen.

Lexo edhe: https://top-channel.tv/2020/07/16/parlamenti-evropin-heq-deklaraten-e-3-deputeteve-per-shqiperine/

Top Channel