‘Partia Demokratike humb ndërsa opozita fiton’, Spahiu zbërthen formulën e zgjedhjeve të ardhshme

16/07/2020 22:46

Analisti Kreshnik Spahiu, zbuloi në “Open” në “Top Channel” skenarin e zgjedhjeve të 2021-it. Sipas analistit me ndryshimet kushtetuese që propozon kryeministri Rama, zgjedhjet i fiton opozita, por kjo fitore do të ketë një kosto për Partinë Demokratike, e cila sipas Spahiut do të dëmtohet së tepërmi.

“Në radhë të parë të sqarojmë një gjë, në vitin 2008 u ndryshua sistemi. Sot nuk po propozohet për ndryshim sistemi, kemi të njëjtën sistem elektoral. Ajo që unë jam ose ndryshohet si është për të ndryshuar, por nuk bëhen makjavelizmat siç bën Edi Rama. Edi Rama duhet të heqë dorë nga projekti miks, nuk ka gjysmë të hapura për t’i bërë qejfin opozitës së re dhe gjysmë të mbyllura për t’i bërë qejfin Lulzim Bashës. Modeli që ka zgjedhur Edi Rama është totalisht i papranueshëm”, tha analisti.

Pyetjes së Eni Vasilit, se a është rrëzuar marrëveshja e pesë qershorit, Spahiu iu përgjigj:

“Marrëveshja e pesë qershorit është rrëzuar. Por me projektin e dytë, me këtë variantin e propozuar nga Edi Rama, fiton opozita por dëmtohet Partia Demokratike. Pse? Sepse njerëzit nuk e dinë se çfarë po ndodh. Projekti i tretë që ka dredhur Edi Rama është variant që lejohet koalicioni, pra të bashkohet Partia Demokratike LSI-ja dhe 40 parti por të dalin me një listë. Po çfarë shkakton kjo? Do të vijë LSI-ja dhe do të thotë kam 20 deputetë dhe do të dua 20 emra në listë, jo në listën e Partisë Demokratike, por në listën e koalicionit që do të jetë, bardh e blu”.

Top Channel