Kuvendi republikan, me kufizime të ndjeshme në pjesëmarrje

16/07/2020 16:20

Republikanët në Shtetet e Bashkuara do ta kufizojnë ndjeshëm numrin e të pranishmëve në kuvendin kombëtar të partisë në Xheksonvil të Floridës në muajin gusht, për shkak të shtimit të rasteve me koronavirus në këtë shtet.

Sipas një burimi të Partisë Republikane, vetëm 2,500 delegatë të rregullt do të lejohet të marrin pjesë në tre netët e para të kuvendit, i cili zgjat katër netë.

Në mbrëmjen e fundit, kur sipas planeve Presidenti Donald Trump do të pranojë zyrtarisht emërimin republikan dhe do të flasë në kuvend, delegatët do të lejohen të sjellin nga një të ftuar dhe do të jenë gjithashtu të ftuar delegatë alternativë, duke e çuar numrin e të pranishmëve në rreth 6-7 mijë.

Kuvendi kombëtar zakonisht karakterizohet nga një pjesëmarrje shumë më e madhe.

Kuvendi republikan u transferua në pjesën e tij më të madhe nga qyteti Sharlot i Karolinës së Veriut muajin e kaluar, sepse guvernatori i shtetit nuk pranoi të lejojë një audiencë të plotë.

Por që nga vendimi për transferimin, numri i të infektuarve me koronavirus në Florida ka patur një shtim të ndjeshëm.

Florida e i ka kufizuar grumbullimet në mjedise të mbyllura në 50 për qind të kapaciteteve./VOA/

Top Channel