I dehur dhe transportonte lëndë drusore pa dokumentacion, arrestohet 32-vjeçari

16/07/2020 10:03

Një person që u kap duke transportuar me kamion, 20 m³ lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës dhe drejtonte mjetin në gjendje të dehur, u arrestua në flagrancë nga policia.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec në bashkëpunim me Policinë Rrugore, në afërsi të fshatit Pleshisht, ndaluan për verifikim e kontroll mjetin tip kamion “Benz” të ngarkuar me lëndë drusore, me drejtues shtetasin E. Sh., 32 vjeç, banues në fshatin Vërdovë.

Ky shtetas nuk dispononte dokumentacionin përkatës për sasinë e lëndës drusore, e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu pas kryerjes së test alkoolit, rezultoi se drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

32-vjeçari, u arrestua në flagrancë dhe materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.

Top Channel