Vendimet e marra sot nga KLP: Caktimet e përkohshme të prokurorëve e verifikim i kandidatëve nga Shkolla e Magjistraturës

15/07/2020 16:46

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar sot në mesditë mbledhjen plenare të radhës, ku në kuadër të masave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, mbledhja është mbajtur përmes platformës on-line në prani të 9 anëtarëve si dhe të ftuarve përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë dhe programet e asistencës për zbatimit të reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.

Mbledhja nisi me miratimin e procesverbaleve të seancave plenare të datës 08.07.2020 dhe datës 13.07.2020.

Me propozim të anëtares së Këshillit, znj. Nurihan Seiti dhe me miratimin e të gjithë anëtarëve të tjerë, rendit të ditës iu shtua një pike tjetër, pikërisht caktimi i përkohshëm të një prokurori nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Korçë. Në propozimin e saj, znj. Seiti nënvizoi faktin se ky caktim i përkohshëm është i domosdoshëm në kushtet aktuale në të cilën gjendet Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Korçë, ku si rezultat i procesit kalimtar të rivlerësimit me pasojë shkarkimin e disa prokurorëve në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Korçë, kjo prokurori ka aktualisht vetëm një prokuror.

Me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli vendosi caktimin e përkohshëm të znjIrena Çunoti, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, të caktohet përkohësisht të ushtrojë funksionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Korçë nga data 16.07.2020 deri me 15.10.2020.

Anëtari i Këshillit, z. Vatë Staka propozoi që rendit të ditës t’i shtohet dhe diskutimi për drejtuesin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, z. Milkan Laskaj i cili ushtron përkohësisht detyrën e drejtuesit por nuk ka emërimin në këtë prokurori. Zoti Staka i propozoi Këshillit të zgjidhet në këtë pozicion një nga prokurorët e emëruar në Prokurorinë e Lezhës. Propozimi nuk gjeti mbështetjen e shumicës së anëtarëve dhe Këshilli vendosi trajtimin e kësaj çështjeje në mbledhjen e ardhshme.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur për dy caktime të përkohshëm si drejtues prokurorie; me 7 vota pro dhe dy vota kundër (znj. Nurihan Seiti dhe z. Alfred Balla) znj. Ollga Visi, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Korçë,  të caktohet përkohësisht të ushtrojë funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit dhe z. Gjon Fusha, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër, të caktohet përkohësisht të ushtrojë funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër. Këto caktime të përkohshme janë për një periudhë 3 mujore përkohësisht nga data 16.07.2020 – 15.10.2020.

Këshilli miratoi projekt-vendimin “Për fillimin e procedurave të verifikimit të pasurisë dhe figurës së kandidatëve për prokurorët e diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës në vitin 2019 – 2020”.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë kryen verifikimin e pasurisë dhe figurës për kandidatët për magjistratë prokurorë, të diplomuar në programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës. Emërimi i të diplomuarit magjistrat prokuror mund të realizohet vetëm nëse plotësohen kriteret ligjore, ndër të cilat edhe verifikimi i pasurisë dhe figurës. Ky proces realizohet nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, i mbështetur nga Njësia e Mbështetjes së Komisioneve në Departamentin e Shërbimeve Ligjore. Në përfundim të këtij procesi verifikimi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të vendosë lejimin ose ndalimin e kandidatëve të diplomuar për emërimin e tyre si magjistratë prokurorë. Vendimi  ka për qëllim të kryejë verifikimin e pasurisë dhe figurës për kandidatët për magjistratë prokurorë, të diplomuar në Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2019 -2020, z. Gazmend Frëngu dhe znj. Enkeleda Hoxha.

Në vazhdim të seancës është hedhur shorti për caktimin e relatorit për verifikimin e pasurisë dhe figurës për kandidatët për magjistratë prokurorë, të diplomuar në Shkollën e Magjistraturës në formimin fillestar në vitin akademik 2019 – 2020. Procedura e shortit ka për qëllim të realizojë shpërndarjen rastësore dhe të barabartë dhe në vijimësi me ngarkesën e punës midis anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale. Pas hedhjes së shortit ku ishin pjesë 3 anëtarë të këtij komisioni, përkatësisht znj. Esmeralda Keshi, z. Alfred Balla dhe z. Kostaq Beluri është caktuar z. Alfred Balla si relator për z. Gazmend Frëngu dhe z. Kostaq Beluri për znj. Enkeleda Hoxha.

Këshilli ka vijuar diskutimin lidhur me rolin e Këshillit në Marrëveshjen e bashkëpunimit të propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe për mënyrën e caktimit të prokurorit ndërlidhës pranë EUROJUST. Kryetari Gent Ibrahimi ka informuar anëtarët se Këshilli i ka komunikuar zyrtarisht Ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj se komandimi është instrumenti i vetëm ligjor që mund të përdoret për të caktuar një prokuror të shërbejë në një institucion tjetër, jashtë sistemit të prokurorisë, pa e humbur statusin e prokurorit. Nga ana tjetër u theksua se Këshilli i Lartë i Prokurorisë është institucioni i vetëm që ka autoritetin për të vendosur komandimin e prokurorit.

Në përgjigje të thirrjes së datës 24 Shkurt 2020, Këshilli ka marrë dhe administruar dy kërkesa: Fatjona Memçaj, prokurore në Prokurorinë e Apelit në Tiranë dhe Sonila Muhametaj (Domi), prokurore në Prokurorinë e Tiranës.

Këshilli ka vendosur fillimin e procedurës së komandimit me verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore dhe përcjelljen e kandidatëve të kualifikuar tek Prokurori i Përgjithshëm për përzgjedhjen e kandidatit. Vendimi përfundimtar për komandimin e prokurorit i përket Këshillit. Ndërkohë, Këshilli do të vijojë hapat e parashikuara nga ligji për procedurën e komandimit në një përpjekje për të përshpejtuar procesin.

Top Channel