Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të mërkurën i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për përbërjen e re të Kuvendit.

Votimi filloi në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në orën 21:00, në gjithsej 3.390 vendvotime në gjashtë njësitë zgjedhore të vendit. Sipas Listës Zgjedhore të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote kanë 1.814.263 qytetarë.

Procesi i votimit në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare për herë të parë po zhvillohet tre ditë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Të hënën, më 13 korrik, votuan personat e infektuar me COVID-19 dhe personat në vetizolim. Sipas informatave të KSHZ-së, të drejtën e votës e shfrytëzuan 723 qytetarë që janë të infektuar me COVID-19 ose janë në vetizolim.

Këto votime i zbatuan këshilla të veçanta zgjedhorë të përbëra nga tre përfaqësues të stafit mjekësor dhe përfaqësues të partive politike.

Dje, më 14 korrik, të drejtën e tyre të votës patën mundësinë ta shfrytëzojnë 8.855 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, 357 persona që gjenden në 17 shtëpi pleqsh, 1.657 të burgosur në 13 burgje dhe 6 persona të zhvendosur në Qendrën e Personave të Zhvendosur.

Për 120 ulëse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut garojnë 15 koalicione dhe parti politike me gjithsej 1.560 kandidatë.

Në këto zgjedhje për herë të parë që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991, u krijua një koalicion parazgjedhor midis një partie maqedonase dhe një partie nga blloku shqiptar. LSDM dhe Lëvizja Besa garojnë së bashku në këto zgjedhje.

Fushata zgjedhore u shënua nga premtimet ekonomike për paga dhe pensione më të larta, projekte të infrastrukturës si dhe mesazhe nacionaliste dhe lëshim pothuajse të përditshëm të regjistrimeve të paligjshme audio dhe video, në të cilat aktorët politikë dyshoheshin se ishin kapur në biseda të dyshimta për krim dhe korrupsion. Akuzat janë zhvilluar kryesisht mes VMRO-së dhe LSDM-së.

Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje doli me idenë e një kryeministri të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut ndërsa opozita shqiptare me moton “Tash është koha për ndryshim”.

Procesin zgjedhor po mbikëqyret nga 2,508 vëzhgues vendor dhe 98 të huaj. Për zgjedhjet, përveç gazetarëve të akredituar vendor, po raportojnë edhe 55 media ndërkombëtare.

Ministria e Punëve të Brendshme, ka angazhuar rreth 6 mijë forca policore për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Top Channel