Ish gazetari ushtarak rus Ivan Safronov u akuzua për tradhti më 13 korrik – një veprim që ka ngjallur shqetësim të thellë mes gazetarëve të tjerë në vend.

Gazetari akuzohet për kalimin e sekreteve ushtarake në Republikën Çeke. Tradhtia është një krim i rëndë në Rusi, që dënohet me nga 12 deri në 20 vjet burg.

Dhe kjo është akuza me të cilën përballet ish-gazetari ushtarak rus Ivan Safronov, i cili në maj u bë këshilltar në agjencinë hapësinore ruse Roskosmos.

Prokurorët shtetërorë e akuzojnë Safronovin për kalimin e sekreteve ushtarake në Republikën Çeke në vitin 2017. Ai i ka mohuar akuzat, dhe mbështetësit e tij thonë se çështja është e sajuar.

“Ky është një rast i ri, i pari që nga koha kur Grigory Pasko u akuzua për spiunazh në 1997 për tradhti. Dikur kishte një konsensus dhe mirëkuptim që një gazetar nuk mund të dijë sekretet shtetërore – ata thjesht nuk e posedojnë një informacion të tillë. Ai po ndiqet penalisht për kohën kur punoi si gazetar. Kjo nuk është një akuzë ndaj një nëpunësi civil, është një akuzë ndaj një gazetari“, thotë Natalia Rostova themeluese e organizatës YelsinMedia.

Sipas kompanisë publikuese Mediazonë, dënimet për spiunazh dhe tradhëti janë rritur 5 herë gjatë 10 viteve të fundit. Procedurat gjyqësore për raste të tilla zakonisht zhvillohen pas dyerve të mbyllura.

“Më shumë se një herë njerëzit janë akuzuan për nxjerrjen e sekreteve shtetërore – madje edhe nga universiteti ynë – dhe këta njerëz as që mund të kenë ditur sekrete shtetërore. Kështu që mendoj se shqetësimet janë të justifikuara – dhe nuk mund të them kush do të jetë viktima e radhës. Ka shumë viktima të mundshme sepse komuniteti i ekspertëve në Rusi është mjaft i madh – politik, ekonomik dhe ndërkombëtar”, thotë Pavel Sharikov me Programin e Shkëmbimeve Akademike.

Analistët thonë se potencialisht çdo person me kontakte profesionale jashtë vendit mund të akuzohet, që nga gazetarët, e deri tek shkencëtarët dhe diplomatët.

“Ky arrestim nënvizon rrezikun me të cilin përballen rusët që bashkëveprojnë me Perëndimin. Nuk kam asnjë dyshim se disa njerëz në Rusi tani do të jenë më të kujdesshëm në marrëdhëniet me perëndimorët sepse kanë frikë nga abuzimet nga Shërbimi Federal i Sigurisë apo elementë të tjerë të zbatimit të ligjit”, thotë John Herbst, drejtor në qendrën për Euroazinë në Këshillin e Atlantikut.

Akuzat kundër Safronovit u lëshuan vetëm disa ditë pasi një gazetare tjetër ruse, Svetlana Prokopyeva u shpall fajtore për nxitje të terrorizmit. Por ajo u la thjesht me një gjobë në vend të burgosjes.

“Të gjithë ne duhet të ekuilibrojmë punën tonë në një mënyrë që nuk do të na lejonte të biem në vetë-censurim. Sepse nëse biem në vetë-censurim, kjo do të thotë se shërbimet e sigurisë e kanë bërë punën e tyre dhe na kanë mbyllur gojën. Por ne nuk mund të heshtim”, thotë Svetlana Prokopyeva.

Rasti Safronov gjithashtu paraqet një kërcënim për gazetarët rusë që punojnë me agjencitë perëndimore të lajmeve, thotë ish-kreu i zyrës së CNN-it në Moskë.

“Korrespondentët e huaj që punojnë në Rusi do të hasin tani një situatë shumë të paparashikueshme kur bëhet fjalë për të punuar ose për të marrë informacion nga gazetarë të tjerë. Sepse kemi Ivan Safronov, Svetlana Prokopyevan, Ivan Galunovin – të gjithë këta gazetarë punojnë në fusha të ndryshme, por që janë arrestuar ose ndjekur penalisht. Pra, nëse je një gazetar amerikan në Moskë, do të duhet të pyesësh veten – nëse lidhem me një gazetar si ai, dhe është një veprimtari gazetareske plotësisht objektive, a do të jetë e rrezikshme për mua? A mund të dëbohem? “, pyet Jill Dougherty në Qendrën Wilson.

Një numër organizatash civile dhe të medias kanë botuar deklarata në mbështetje të Ivan Safronovit. Gazetarët po kërkojnë një seancë të hapur dhe po bëjnë thirrje për ndaljen e manisë së spiunazhit./VOA/

Top Channel