Ngjela në Top Talk: Rama e Basha me lista të hapura nuk votohen, ndryshimi i Kushtetutës nuk është truk, por turp

14/07/2020 17:57

Në studion e emisionit “Top Talk” drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar avokati Spartak Ngjela. Mazhoranca dhe opozita parlamentare bashkuan sot votat në Komisionin Kuvendor të Ligjeve, për të ndryshuar kushtetutën, për hapjen e pjesshme të hapjes së zgjedhësve dhe heqjen e koalicioneve zgjedhore që ishin përcaktuar në Kushtetutë.

Ashtu sikurse dhe pritej në fakt ky akt politik nuk është mirëpritur nga Partia Demokratike dhe aleatët, që akuzuan menjëherë Edi Ramën, si ideator të prishjes së konsensusit në Këshillin Politik.

Këto zhvillime avokati Ngjela i konsideroi si një turp. Ndërsa hezitimin për implementimin e listave të hapura, avokati e lexoi si një “frikë” e dy partive më të mëdha në vend (PS-PD), nga vota e qytetarëve.

Denis Dyrnjaja: Mesa duket Rama vendosi të përdorë kartonat e mazhorancës së vet bashkuar me ato të opozitës parlamentare për të ndryshuar kushtetutën. Përse sipas jush.

Spartak Ngjela: E ka ndryshuar për hapjen e listave zgjedhore. Por mesa mora vesh e ka lënë koeficientin e vet, të Bashën e këtyre të mos votojë populli për ta.

Denis Dyrnjaja: Është një truk po thoni ju.

Spartak Ngjela: Është turp, jo truk frikë e madhe. O e bëri për të qetësuar Bashën, o e bëri për të qetësuar veten. Nuk ka rëndësi fare kjo, ne po presim Reformën në Drejtësi, ne po presim të hapet Byroja Kombëtare e Hetimit. Listat e hapura i mori përsipër Rama dhe u tërhoq, gënjen. 1/3-ën e la ta caktojnë partitë, 2/3-ën ta zgjedhi populli. Me anë të kësaj treguan që nuk i do populli. Pse e zgjat muhabetin. Fakti që nuk pranojnë votim popullor me emra, e dinë që si do populli. Fakti që tregon që si do populli duhet të ikin. Fakti që s’ikin do t’i marrë me fshesë Byroja Kombëtare e Hetimit, nuk diskutohet. Dosjet e këtyre po studiohen në Amerikë.

Denis Dyrnjaja: E kuptova gabim apo po thoni që kryetarët e partive mund të marrin vota nga disa njerëz të tjerë që i kanë në parti, që mund të kenë popullaritet më të madh me lista të hapura.

Spartak Ngjela: Këta kanë ardhur si mungesa e artificeve.

Denis Drynjaja: Është kjo mungesa e demokracisë në partitë politike të Shqipërisë.

Spartak Ngjela: Nuk më duhet fare kjo, se unë jam i interesuar për demokracinë e popullit. Këta kanë ardhur rastësisht dhe e kanë hallin tek strukturat. Sepse strukturat duke rrëzuar Bashën, ai që do të marri vota më shumë se Basha rregullisht duhet të jetë kryetar partie. Ai që duhet të marrë vota më shumë se Rama rregullisht duhet të jetë kryetar partie.

Denis Dyrnjaja: Po mirë mund të marri Berisha vota më shumë se Basha. Prapë Berisha është kryetar partie.

Spartak Ngjela: A thua që i merr dot.

Denis Dyrnjaja: Po bëj një aludim.

Spartak Ngjela: Berisha është i pa votuar fare. Duhet të votohesh në popull, jo në parti. Ne të dy jemi në listë të një partie, ata votojnë për ty, por ti ke 10 mijë vota më shumë se unë. Unë rrëzohem, ti fiton, edhe ti del kryetar partie, në qoftë se ke rrëzuar kryetarin e partisë. Këto thonë marrëveshje. Marrëveshja nuk është prishur sepse listat e hapura dhe të mbyllura nuk kanë lidhje me reformën. Të hapura janë për popullin, të mbyllura janë për manipulimin. Këta nuk hoqën dorë nga manipulimi, ku duhet të jetë shpresa e shqiptarëve? Shpresa e shqiptarëve duhet të jetë tek reforma anti-korrupsion që vjen me SPAK-un.

Top Channel