“Si gjithë të tjerët”/ Përkujtohet në 100 vjetorin e lindjes ish drejtoresha e shtëpisë së fëmijës

13/07/2020 20:28

Shumë prej nesh mund ta kenë parë filmin “Si gjithë të tjerët”, por mbase shumë pak e dinë që monumentalja Tinka Kurti aty interpeton rolin e e Evanthi Ciko-s.

Një personazh real që i ka dhënë shumë kulturës, arsimit dhe formimit të brezave. Por mbi të gjitha një humaniste. Sot ajo do të festonte 100 vjetorin e lindjes.

“Të gjithë më thanë: duhet të takohesh me zonjën. Me atë drejtoreshën që ka drejtuar. Une kam shkuar në shtëpinë e saj. E kam gjetur në një shtëpi te vogël. Me oborr. Me shumë lule, që më fali pastaj kur ika. Më futi në një sobë të ngrohtë. Një grua fisnike, e dashur. Lotët e saj arrinin deri këtu. Më tha: duhet t’i duash si i kam dashur unë. Atëherë do t’ja arrish rolit. Po ajo ishte aq e lidhur me ta, sa edhe gjatë kohës së xhirimit ajo do vine me qit kokën për të parë a jam unë e saktë apo jo?”.

Evanthi Ciko, ndryshoi modelin që gjeti në Shtëpinë e Fëmijës “8 Nëntori”, pasi mori detyrën si drejtoreshë. Ajo bëri cmos që ta transformonte atë vend në një familje.

Puna dhe roli i Evanthi Cikos, ka qenë një kontribut i jashtëzqkonshëm dhe një sfidë që kishte të bënte me rrëzimin e mureve të mëshirës dhe stigmës, për atë pjesë të shoqërisë në nevojë që ishin fëmijët e braktisur.

Karriera e saj në mësimdhënie e shndërroi Evanthi Cikon një figurë që i dha shumë edukimit. Ajo e meritoi plotësisht emrin “ zysh”.

“Ajo krijoi korin e fëmijëve të shkollës “Naim Frashëri”. Ky është një kujtim shume i bukur. Ju jeni të rinj dhe nuk e kuptpni cdo të thotë mbarimi i një lufte e një tragjedie”, tha Thoma Thomai.

Evanthia punoi si drejtuese në disa shkolla të njohura të kryeqytetit, siç ishin shkolla “Luigj Gurakuqi”, “11 Janari”, sot “Dora D’Istria”, “Hasan Vogli”, etj.

”Duke qenë një grua jashtëzakonisht humane, ajo vlerësonte njeriun dhe jo prejardhjen. Unë ruaj kujtimet më të mrekullueshme dhe buzëqeshjen e saj të jashtëzakonshme që nuk ju shua deri në fund”, tha Vera Bekteshi.

“Jam mirënjohës për të gjithë. Për ata që kanë ardhur, për studentët, për njerëzit qe kane punuar me mamanë time”, tha Zhani Ciko.
Evanthi Ciko do të kujtohet për humanizmin në emër të dinjitetit njerëzor. Ky ishte misioni që ajo i kushtoi jetën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA