Duke parë rritjen e rasteve pozitive me covid-19 në vendet ballkanike autoritetet shëndetësore greke do të intensifikojnë testet mjekësore në kufijtë tokësore me Bullgarinë dhe Shqipërinë.
Konkretisht prej së martës në mbrëmje autoritetet greke do të kërkojnë prej të gjithë të huajve që hyjnë në pikën kufitare të Promahones , në kufirin me Bullgarinë, vërtetimin që kanë kryer në 72 orët e fundit testin për koronavirusin me rezultatin negativ të tij.
Kjo për arsye se në këtë pikë nga data 1 deri në 11 korrik janë regjistruar katër herë më shumë teste pozitive të udhëtarëve që kanë hyrë se sa në aeroportin ndërkombëtar të Athinës.
Sa i përket Shqipërisë zëdhënësi i qeverisë ka theksuar se ashtu si në Kakavijë ,do të shtohen kontrollet mjekësore edhe në pikën e Kapshticës.
“Përforcohen kontrollet në pikat e hyrjes me Shqipërinë. Të shtunën dhe të dielën u kryhen 1011 kontrolle mjekësore në doganën e Kakavijës dhe do të vazhdojnë në ditët e ardhshme edhe në atë të Kapshtices (Kristalopigji)”, tha Steliso Petsas zëdhënësi i qeverisë greke.
Pas konsultimeve me komisionin e ekspertëve Athina zyrtare ka vendosur, gjithnjë pas analizave të statistikave më të fundit, të lejojë fluturimet nga Britania pas datës 15 korrik, nga Suedia pas 22 korrikut dhe nga SHBA në fund të muajit.
Ndërkohë në 24 orët e fundit në Greqi kanë rezultuar 24 raste të reja, prej të cilave 6 në Ksanthi, 4 në Kostur dhe 3 në Selanik.
Vlen të përmendet se për të 15 dite rresht në Greqi nuk është regjistruar asnjë vdekje nga koronavirusi, por rritja e numrit të të prekurve vjen kryesisht nga hyrja e turistëve të huaj.
Top Channel