Në kërkim ndërtuesi Reli/ Nis hetimi pas investigimit të “Fiks Fare” për ndërtim pa leje

11/07/2020 15:39

Burime nga Policia e Korçës i thanë Top Channel-it se ka nisur hetimi për shtetasin Arben Reli, ndërtues.

Burimet thonë se ndërtuesi është në kërkim, ndërkohë teksa po përdoren metodat speciale ka nisur edhe verifikimi i fakteve për akuzën e ndërtimit pa leje. Ky shtetas ka një histori të pasur me ndërtimet pa leje edhe më parë. Gjithçka nisi nga një investigim i emisionit “Fiks Fare” në Top Channel për qendrën “Morava Resort”.

Godina kryesore, ka qenë shtëpi pushimi, më pas u privatizua dhe disa biznesmenë filluan të investonin. Në vitin 2009, pika mori emrin “Morava Resort”, sipas një dokumenti në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me dy ortakë që kishin secili 50 përqind të aksioneve. Në vitin 2011, një nga ortakët Arben Rreli, bëri një falsifikim dokumentesh dhe tentoi të nxjerrë lejen e objektit në komunën Drenovë, vetëm në emrin e tij. Këtë dokument fals, ai e përdori në komunë. Në vitin 2017, Arben Rreli rifilloi punimet pa dijeninë dhe pa miratimin e ortakut tjetër, në fshehtësi, edhe pse objekti është i përbashkët. Por, babëzia vijon më tej. 11 vite pas hapjes së “Morava Resort”, Arben Rreli, krijon një tjetër shoqëri po në këtë biznes, me emrin “Montrelux”, ku ai është aksioner me 100 përqind. Sipas dokumentit në QKB, ky biznes e ka zyrën qendrore të shoqërisë në qendrën turistike “Mali i Moravës”. Pra, ai mbivendosi bizneset. Dhe, duke i ndryshuar emrin. Fiks Fare vëzhgoi zonën në fjalë, në lidhjet me ndërtimet e reja. Sipas disa dokumenteve zyrtare nga Bashkia e Korçës, Arben Rreli ka bërë një deklaratë për punime të brendshme dhe sistemime. Në sistemin e-leje ka vendosur edhe disa fotografi të “Morava Resort”.

Por, dy vite më pas, sipas një vëzhgimi të “Fiks Fare”, rezulton se janë bërë punime shtesë. Megjithëse nuk ka leje ndërtimi, në kompleks janë bërë ndërtime të reja, që nga themeli. Madje, biznesi është “përuruar” edhe nga eksponentë të qeverisë Rama. Pasi u realizua verifikimi i fakteve, biznesmeni u kërkoi gazetarëve të “Fiks Fare” që “emisioni s’duhet të dalë”. Të gjitha faktet e grumbulluara nga “Fiks Fare” kanë vënë në lëvizje autoritetet që po ndjekin shkeljet e ligjit nga ana e ndërtuesit, Arben Reli.

 

Top Channel