Stadiumi Air Albania asnjëherë nuk kishte vuajtur zbraztinë e tifozëve kaq keq që prej inaugurimit të tij, por në derbin e kryeqyteit elementi më i rëndësishëm ai i tifozëve, mungoi në një 90 minutësh që duhej ndjekur me emocion. Përballja mes Partizanit dhe Tiranës përfundoi 1-1, një sfidë e luftuar deri në sekondat e fundit në të cilën Demat e kuq flirtuan me fitoren, por e humbën në shtesë kur askush nuk e priste.
Me Kalarin në stol për shkak të bojkotit të trajnerit kryesor Sormani për shkak të rasteve me koronavirus, Partizani u detyrua të shpikë formacionin bashkë me stolin, por raste dhe iniciativat nuk munguan. Tirana bëri një lojë më të kujdesshme por në fraksionin e dytë pretendoi për një penallti në minutën e 66 me Ngo’ të cilën arbitri e injoroi. Shifrat u zhbllokuan me Melon që me një të djathtë të saktë çoi sferën në rrjetën e Likës, duke sjellë entuziazëm në pankinë. Bardhi kishte shansin të dyfishonte për Partizanin në minutën e 84 por shpërdoroi një shans të artë.
Por ofensiva e bardhebluve në finale solli dhe barazimin në një aksion pa shumë pretendime. Top i gjatë nga gjysmëfusha që u shfrytëzua nga Ngo, dhe në rrjedhën e aksionit Muçi fiksoi barazimin 1-1, një gol që u festua si fitore nga bardheblutë. Tani skuadra e Egbo është 7 pikë larg Kukësit, por verilindorët kanë shansin ta reduktojnë të shtunën ndaj Teutës.
Në sfidën tjetër të ditës, Flamurtari i rënë nga elita humbi 2-3 ndaj Bylisit me një gol në minutën e 5 shtesë.
Top Channel