Kosovë, ligji antiCovid/ Qeveria mblidhet të enjten për ta proceduar për Kuvend

08/07/2020 21:16

Pas tre muajsh peng, Qeveria Hoti pritet që në mbledhjen e planifikuar për ditën e enjte ta procedojë për Kuvend, Projektligjin për Parandalimin e Përhapjes së Covid-19, të propozuar nga Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani.

Këtë e kanë bërë me dije burime të Top Channel brenda Qeverisë. Por, këshilltari ligjor i Osmanit, Artan Murati thotë se e gjithë kjo vonesë nuk do duhej të ndodhte marrë parasysh situatën pandemike.

Murati tregon se drafti i projektligjit nuk është i bazuar tek ndonjë vend tjetër siç rëndom ndodh andaj e sheh lehtë të implementueshëm.

E kryesuesja e Komisionit për Shëndetësi, Albena Reshitaj thotë se Kosova është vonë në hartimin e këtij ligji, pasi do t’i mundësonte Qeverisë marrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin e përhapjes së virusit pa shkelur të drejtat e njeriut.

Ky projektligj ishte kërkuar të hartohej që kur Gjykata Kushtetuese i hodhi poshtë vendimet e Qeverisë Kurti për kufizim të lëvizjes së qytetarëve. Pas pak kohe, Osmani propozoi draftin e parë, ku partitë e atëhershme opozitare kërkuan që për miratimin e tij të pritej krijimi i Qeverisë së re, asaj Hoti.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA