Hapësirat e “dinjitetit”/ Monumentet e vendosura keq në mjedise publike

08/07/2020 12:25

Në Gjirokastër hapësira publike është minimale dhe veprat e artit që e dekorojnë këtë hapësirë janë gjithashtu të pakta në numër.

Specialistët së fundi ngrenë shqetësimin se hapësira e dinjitetit përreth disa prej monumenteve që dekorojnë hapësirën publike është e pamjaftueshme.

Monumenti që gjendet pas meje nuk ka një hapësirë dinjiteti, është I vendosur përkundër një muri sepse edhe hapësira publike në qytet është e pamjaftueshme. Emanuel Koko skulptori që gdhendi së fundi monumentin e Idriz Sullit e vendosur në parkun e Viroit thotë se kemi të bëjmë me një vepër autentike parkune cila mund të përshtatej në çdo mjedis publik.

“Kemi të bëjmë me njeriun që ka themeluar kanunin dhe ai është marrë me shumë shkrime dhe dorëshkrime. Jam bazuar tek një gravurë e vjetër që ekziston për portretin e Idriz Sullit si dhe disa njerëz që kanë bërë përshkrime për këtë personazh. Një rëndësi të veçantë i kemi dhënë kostumit lab që është karakteristikë e kësaj zone, dhe është ruajtur sharku, qeleshja, fustanella me shumë palë, kallcat e kostumit, këpucët. Të gjitha këto kanë kompletuar monumentin e Idriz Sullit.”

Në shumë raste vendimmarrja publike për personazhe të njohura apo figura historike apo edhe për vepra të artit si në këtë rast është marrë nga këshilli bashkiak pa u konsultuar me grupet e ekspertëve, me grupet e interesit, me historianë apo specialistë të fushës. Historiani Jaho Canaj thotë se ka nevojë për një bord specialistësh, ekspertësh dhe vlerësuesish të figurave të cilët do të ndihmonin këshillin bashkiak për të bërë vlerësimin për emërtimet e rrugëve, për vlerësimin e figurave por edhe për të vendosur mbi veprat e artit publik që dekorojnë territorin.

“ Vendet që përzgjidhen për të vendosur këto figura nuk janë dinjitoze dhe shpesh kjo ndikon negativisht në procesin e perceptimit që kemi ne për këto figura historike madje duke u vendosur në vende të tilla të papërshtatshme këto figura denigrohen. A mund ta pranojë koshienca jonë që një figurë e tillë karizmatike si e Idriz Sullit të vendoset në fund të qytetit. Ky është një veprim që fyen këtë figurë dhe krenarinë kombëtare, sepse Shartet e Idriz Sullit nuk kanë vepruar vetëm në krahinën e Labërisë. Ai është një kanun që ka vepruar në të gjithë hapësirën jugore të vendit tonë madje gjurmë të tij i gjejmë deri në Korçën e largët. Për këto raste këshilli bashkiak duhet të konsultohet nga një bord figurash të njohura të cilët mund të japin një konkluzion më të qartë për këto figura historike.”

Prania e artit në qytetin e Gjirokastrës por edhe në të gjithë rajonin duket se është minimale. Qyteti ka një pjesë të artit publik të trasheguar nga periudha e socializmit, ka një monument të Çerçiz Topullit që është i vetmi që ka një hapësirë respekti përreth tij dhe zbukuron një shesh qëndror në Gjirokastër dhe shumë pak monumente të tjera që ose gjenden në kënde të caktuara për shkak të ndërtimeve të pas ‘90 ose nuk kanë marrë vlerësimin e duhur për shkak të hapësirës së pamjaftueshme publike.

Top Channel