Kosovë/ Kufizim i lëvizjes dhe mbyllje e gastronomisë në mbrëmje, ja vendimet që hyjnë sot në fuqi

06/07/2020 08:18

Prej sot, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat: Prishtinë, Ferizaj, Prizren dhe Vushtrri. Kjo pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës e cila është marrë mbrëmë.

Megjithatë, personat nga këto komuna dhe pas kufizimit, mund të lëvizin vetëm në raste të veçanta, si mund të jenë rastet urgjente shëndetësore; Në rast të nevojës për t’u kujdesur për të sëmurë, për persona me nevoja të veçanta, vetëm nëse të sëmurët apo personat me nevoja të veçanta nuk kanë mundësi të kujdesen për vetveten.

Në rast të kërkimit të ndihmës nga institucionet përkatëse, siç është rasti me viktimat e dhunës familjare; Në rast të vdekjes së anëtarit të familjes; dhe në rast të paraqitjes së nevojave për dalje jashtë shtëpisë/banesës për nevojat fiziologjike të kafshëve, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia duke tërhequr vëmendjen se nuk lejohet shfrytëzimi i këtyre rasteve për të kryer ndonjë punë tjetër ose për ndonjë qëllim tjetër përveç atij të përcaktuar.

Po ashtu, prej sot, të gjitha subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë si restorantet, kafiteritë, klubet e natës dhe të ngjashme: Iu ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në 05:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Jashtë këtij orari mund të punojnë vetëm në hapësira të hapura duke respektuar distancën prej 1.5 metrash hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe shërbimet take-away (merre me vete).

Të gjitha subjektet që ofrojnë transport publik si autobusë, kombi, taksi, të punojnë me përgjysmim të kapaciteteve të tyre sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar.

Po ashtu, institucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës obligohen ta reduktojnë numrin e të punësuarve vetëm në nivel të stafit të domosdoshëm.

Institucioneve shëndetësore publike dhe private u rekomandohet t’i reduktojnë shërbimet shëndetësore joesenciale.

Kërkohet nga të gjitha komunat t’i riaktivizojnë plotësisht shtabet e tyre lokale.

Obligohen Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet përkatëse shëndetësore të ndërtojnë strategji adekuate mediale për informim të qytetarëve.

Në përputhje me kërkesat e Inspektoratit Sanitar, të gjitha inspektoratet e tjera i vënë në dispozicion kapacitetet e veta për të mbikëqyrur zbatimin e masave në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Obligohet Ministria e Shëndetësisë të përgatisë “Planin e veprimit për zbatimin e procedurave të testimit me Covid 19” dhe ta sjellë për miratim në Qeveri brenda një jave.

Ministria e Shëndetësisë përgatit dhe dorëzon në Qeveri në baza javore raportin për zbatimin e këtij vendimi.

Obligohen institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA