Rikthehen kufizimet/ Kosovë, rëndohet bilanci i Covid-it

05/07/2020 16:53

Forca të Policisë së Kosovës u vendosën mëngjesin e të dielës në hyrjen e klinikës infektive të QKUK-së në Kosovë, duke bllokuar hyrjen atje.

Sipas mediave kosovare, mbrëmjen e të shtunës dhe orët e para të mëngjesit të së dielës, në këtë klinikë kanë humbur jetën pesë persona, si pasojë e mos funksionimit të respiratorëve, por lajmi, nuk u konfirmua zyrtarisht e madje edhe kryeministri Avdullah Hoti nuk konfirmoi dhe as mohoi vërtetësinë e lajmit.

Arbnora Fazliu nga Mitrovica, vajza e një pacienti 70-vjeçar, që u nda nga jeta orët e para të së dielës, thotë se dyshon që babait të saj nuk i është dhënë ndihma e duhur mjekësore.

“Unë po dyshoj që gazin nuk e kanë pasur qysh duhet, mbikëqyrja nuk ka qenë qysh ish dashtë me ardhë me shiku pacientin”, u shpreh Arbnora.

Fillimisht, hyrja në Klinikën Infektive ishte e bllokuar me shirita, por më pas, ata u hoqën ndërkohë që autoambulancat e mjekësisë ligjore u panë të largonin disa trupa të pajetë që andej. Vetëm pesë ditët e fundit, në Kosovë janë regjistruar 557 raste të reja me Covid-19, ndërsa të shtunën humbën jetën tetë pacientë. Me pesë viktimat e raportuara nga mediat të dielën, totali i viktimave shkon në 66.

Kjo situatë alarmante, ka ulur kryeministrin Avdullah Hoti në një takim me drejtuesit e institucioneve shëndetësore të Kosovës, pas të cilit u vendos që në qytetet me numra të larta të infektuarish të rikthehet ndalim qarkullimi nga ora 21 deri në 5 të mëngjesit.

“…Sa u përket bizneseve, mbyllen të gjitha lokalet e gastronomisë nga ora 21 deri në orën 5 të mëngjesit. Jashtë këtij kufizimi lejohet vetëm në hapësira të hapura dhe merr me vete. Në transporti, përgjysmohet”, u shpreh Hoti.

Masa do të hyjë në fuqi nga mbrëmja e të dielës në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Vushtri, ndërsa kryeministri Hoti tha se do të blihen më shumë teste koronavirusi dhe se synohet që të realizohen rreth 500 testime në ditë.

 

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA