Tronditëse dëshmia e fqinjës së familjes Josifi: Pallati u mbush me erën e kufomave…

03/07/2020 18:14

E kush mund ta kishte imagjinuar që nënë e bijë, do të zgjidhnin të vetëflijoheshin me shpresën që do të ringjalleshin sërish. Nënë e bijë, të identifikuara si Zhaneta dhe Anisa Josifi, mbrëmjen e djeshme u gjetën të vdekura në banesën e tyre në zonën e Kombinatit në kryeqytet.

Fill pas ngjarjes u raportua se vajza kishte disa javë që kishte ndërruar jetë, ndërsa nëna vetëm disa ditë. Në lidhje me ngjarjen kanë reaguar dhe fqinjët e familjes Josifi. Njëra nga fqinjët, u prononcua në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”. Ajo i përshkoi gratë si të mira dhe engjëllore, ndërsa shtoi se nuk e dinte se ato i përkisnin sektit të “Dëshmitarëve të Jehovait”. Për të përpos gjithçkaje, tronditëse është fakti që ato janë vetëflijuar me shpresën se do të ringjalleshin sërish. Sakaq, fqinja tregoi dhe momentin kur policia hyri në shtëpinë e familjes josifi. Ajo thotë se sapo dera e shtëpisë u hap, aroma e kufomave mbizotëroi të gjithë pallatin.

“Jam shokuar kur kam marrë vesh në sektin fetar që merreshin. I mendoja vajza me shkollë të lartë, nëna një grua shumë e mirë, e ardhur nga Përmeti, e respektueshme e urtë, engjëllore, tre femra engjëllore. Feja të futet kaq thellë dhe të futet në këtë mënyrë që të sakrifikohet se nesër do të rilindë. Mua më ka vrarë më shumë kjo gjë, kur mora vesh që sekti fetar i Jehovait, ka ndikuar në vetëflijimin e tyre. Janë frymëzuar me një vetësakrifikim se nesër do të rilindë një ditë e re, jo kurrë. Jam e shokuar. Në momentin që është hapur dera, kemi zbritur poshtë nga kureshtja, sepse nuk morëm vesh deri në momentin që doli policia. Kur erdhi policia dhe hyri brenda era u ngjit deri lart, era e dekompozimit të kufomave. Unë jam tmerruar më ka ardhur kaq keq”,u shpreh fqinja.

Top Channel