Magazinat e dikurshme të hekurudhës, pranë stacionit të trenit në Elbasan, janë shndërruar në vend të përdorimit të drogës.

Edhe pse në mes të qytetit, në një zonë totalisht të banuar, duket se përdoruesit e drogës nuk kanë frikë nga asgjë. Ky vend, jo vetëm i rrezikshëm, por edhe vatër infeksioni, është bërë shqetësim për komunitetin pasi janë shtuar grabitjet në zonë.

Roja i stacionit të trenit thotë se një situatë e tillë është e zakonshme. Top Channel u lajmërua për këtë vend nga banorët e zonës, edhe pse në mes të ditës, grupi i xhirimit gjeti përdorues brenda dhe për arsye sigurie lajmëroi policinë.

Vetë banorët thonë se situata këtu është alarmante dhe asnjë masë nuk është marrë. Vende të tilla të braktisura kthehen rëndom në vende të përdorimit të drogës dhe jo vetëm. Ato janë në mes të zonave të banuara dhe megjithatë askush nuk e ndalon një situatë të tillë edhe pse ndodh në mes të ditës.

 

Top Channel