Punonjësja harron t’i kërkojë deklaratën e kempit, qytetari digjet nga ndihma ekonomike

03/07/2020 21:40

Në redaksinë e emisionit Fiks Fare, qytetari Ylli Karaj denoncon heqjen e ndihmës ekonomike në Njësinë Administrative Tregan. Pas një aksidenti, qytetari e ka të pamundur që të punojë dhe përfiton pension invaliditeti si dhe ndihmë ekonomike. Pensionin e invaliditetit prej 5800 lekësh e përfitoi në gusht të 2019, ndërsa në janar të 2020-ës, ky pension i ndërpritet.

Gjithashtu dhe ndihma ekonomike i është ndërprerë ku e ka përfituar vetëm tre muaj, tetor, nëntor, dhjetor të vitit 2019. Qytetari shprehet se në zyrën e Ndihmës Ekonomike në Njësinë Administrative Tregan, ish-punonjësja Manjola Rexhepi ka harruar t’i kërkojë deklaratën që qytetari përfiton kemp. Në sistem qytetari figuron me deklarim të rremë për shkak se nuk ka deklaruar kempin.

Fiksi iu drejtua zyrës së Ndihmës Ekonomike në Njësinë Administrative ku kërkon një shpjegim nga ish-punonjësja, Manjola Rexhepi. Kjo e fundit, fillimisht nuk pranon që si pasojë e një harrese të saj, qytetarit nuk i është kërkuar deklarimi i kempit. Por qytetari kundërshton pohimin e saj, pasi i fakton që ka shkuar në zyrën e ndihmës ekonomike dhe ka dorëzuar të gjitha dokumentet që ish-punonjësja i ka kërkuar.

“Unë erdha këtu. T’i lash letrat këtu dhe ti më the lëri dhe ik se kam njerëz”, shprehet qytetari. Ndërsa ish-punonjësja e mohon duke u shprehur se qytetari nuk i ka dorëzuar deklarimin e kempit. Por qytetari insiston që këtë deklarim nuk ia ka kërkuar ish-punonjësja dhe se për të gjitha dokumentet që i ka kërkuar ai i ka dorëzuar.

“Kërkoi certifikatë ja solla, fotokopje të tapisë, tatimet e tokës ja kam sjellë”, shton qytetari.
Pas ballafaqimit mes ish-punonjëses së zyrës së Ndihmës Ekonomike në Tregan, Fiksi iu drejtua Drejtorit të Kujdesit Social, Shefki Lika në Bashkinë e Elbasanit. Ky i fundit premtoi që do e ndihmonte nga fondet e Bashkisë për të marrë një ndihmë sociale, pasi nga sistemi është djegur.

Ylli Karaj ka përfituar 3 muaj ndihmë nga fondet e Bashkisë. Ai shprehet se drejtori Shefki Lika i ka pohuar që vetëm 3 muaj ndihmë, 3 muajt e tjetrë t’i gjejë vetë. Fiksi shkon sërish në zyrën e ndihmës ekonomike në Tregan për të kërkuar informacion me ndihmën ekonomike. Ish-punonjësja, Manjola Rexhepi e cila tashmë mban postin e Administratores së Njësisë, na drejtoi në Drejtorinë e Kujdesit Social.

Drejtori Shefki Lika, u shpreh se bashkia e ka ndihmuar për 3 muaj dhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak do të miratohet dhe muaji i katërt. Ndërkohë, në muajin korrik qytetari duhet të aplikojë sërish për të përfituar ndihmën ekonomike. Pas ndërhyrjes së Fiksit, qytetari përfitoi ndihmën ekonomike nga fondet e Bashkisë Elbasan.

Top Channel