Ministri Majko: Shqiptarët hapën negociatat me familjen europiane, si i tillë meriton të kujtohet me një vepër arti

02/07/2020 13:04

Data 2 korrik 1990 është një ditë e rëndësishme sa i përket hapave të ‘vrasjes’ së frikës nga shqiptarët dhe rrëzimit të komunizmit.

Një kamion me 36 persona goditi murin e ambasadës gjermane duke bërë një të çarë që shërbeu që mijëra shqiptarë në ditët në vijim, të strehoheshin në ambasadën gjermane.

Ditën e sotme Agjencia Kombëtare e Diasporës me mbështetjen e ministrit të Diasporës zotit Pandeli Majko dhe në bashkëpunim me ambasadën Gjermane kanë zhvilluar një përkujtimore ku do të vendoset edhe një monument.

Ministri Majko u shpreh:

Të nderuar pjesëmarrës, të nderuar zotrinj dhe zonja ambassador, i nderuar kryetari i bashkisë së Tiranës.

2 korriku i viti 1990 ishte një ngjarje dramatike. Më datën 2 korrik të viti 90 në zemër të Tiranës në dyert e ambasadave të perëndimit vërshuan për të kërkuar strehim rreth 5000 qytetarë, gra, burra dhe fëmijë.

Ishte tronditja më serioze për një nga regjimet më të kontrolluara të lindjes komuniste. Situata u kthye në një emergjencë humanitare, sidomos në ambasadën e Gjermanisë Perëndimore, në ambasadën e Republikës së Italisë, në ambasadën e Republikës së Francës, por edhe në ambasada të tjera.

Qytetarët qëndruan në ambasada për 11 ditë dhe net duke u ndihmuar nga trupi diplomatik poerendimor të rrethuar nga forca të shumta policie.

Më datën 13 korrik me ndërhyrjen e OKB-së ata u lejuan të largoheshin nga atdheu. Kam qenë student dhe regjimi në atë kohë organizoi një miting  në qendër të Tiranës për t’ju kundër vënë aktit të të larguarve drejt perëndimit. Në fakt, ky ishte takimi i fundit në publik i regjimit në sheshin më të madh të vendit. Ata që ikën e morën me vete edhe datën e dy korrikut. Kjo datë prodhoi një akt sa refuzoi atë që ishte, po ashtu pohoi atë që do të vinte për shoqërinë shqiptare.

Migrantët shqiptare të dy korrikut 90-të trokitën të parët në dyert e europës, ata ishin jo më shumë se 5000 mijë vetë. Sot numri i shqiptarëve me pashaporta të bashkimit europian po në 500 mijë vetë. Gjermania, Franca dhe Italia  dhe më pas kufiri me Greqinë fqinje u bënë destinacioni i një brezi migrantësh shqiptarë, ata ndryshuan Shqipërinë.

Influenca e tyre është e kudo ndodhur dhe duke mos qenë të pranishëm jemi sot për të përkujtuar një rrugëtim që filloi nga dera e vogël e ambasadave me shpresën për të përfunduar në destinacionin kombëtar të shqiptarëve në Bashkimin Europian.

Më 2 korrik 1990, ambasada e Gjermanisë, Perëndimore në atë kohë ishte strehuesja më e madhe e qytetarëve shqiptarë, më lejoni të shpreh kënaqësinë që ambasadori Gjerman pranoi sot ftesën për të folur  në këtë aktivitet.

Ai, banorët 11 ditorë të ambasadës 30 vite më parë i ka sot shtetas të rrespektuar të vendit të tij. Në aktin e dy korrikut, shqiptarët hapën negociatat me familjen europiane, si I tillë ai meriton të kujtohet si një vepër arti sepse i kishte këto cilësi, kohë e tregoi këtë.

Ju faleminderit.

Top Channel