BE ka shpallur listën e 14 vendeve, qytetarët e të cilëve konsiderohen të sigurt për t’u lejuar të hyjnë në kufijtë e bllokut nga 1 korriku, pavarësisht pandemisë, por Shqipëria, nuk është pjesë e kësaj liste.

Po ashtu edhe SHBA, Brazili dhe Kina janë përjashtuar. Mes vendeve në listë janë Australia, Kanadaja, Japonia, Maroku dhe Koreja e Jugut. BE është gati të shtojë edhe Kinën në listë, nëse qeveria kineze ofron një marrëveshje reciproke për udhëtarët nga BE, thonë diplomatët. Kontrollet kufitare janë hequr tashmë për qytetarët që udhëtojnë brenda bllokut ndërsa rregullat për udhëtarët nga Britania e Madhe mbulohen ndarazi në negociatat për Brexit-in.

Ata do të trajtohen në të njëjtën mënyrë si shtetasit e BE-së deri në fund të këtij viti. Në listën e sigurt aktuale, që do ti nënshtrohet sërish ndryshimeve, bëjnë pjesë Algjeria, Australia, Kanadaja, Gjeorgjia, Japonia, Mali i Zi, Maroku, Zelanda e Re, Ruanda, Serbia, Koreja e Jugut, Tajlanda, Tunizia dhe Uruguaji. Sidoqoftë, procedura e formalizimit të listës dhe kritereve sipas të cilave vendet konsiderohen të sigurta ose jo, do të finalizohet mesditën e të martës. Një shumicë e cilësuar e vendeve të BE-së, të paktën 55 përqind, që përfaqëson edhe 65 përqind e popullatës së BE, kanë mbështetur listën. Ka patur ndasi mes vendeve si Spanja, që dëshiron të ndihmojë turizmin, por që preferon të qëndrojë e sigurt pasi është goditur rëndë nga Covid-19, dhe të tjerë si Greqia e Portugalia, që varen tek turizmi por janë më pak të trembur nga virusi.

Javën e kaluar u raportua se vendet anëtare po shqyrtonin dy lista të ndryshme. Faqja e internetit Politico, tha se njëra mbulonte vendet me më pak se 16 raste të Covid-19 për 100 mijë banorë dhe tjetra me deri në 20 raste, që do të përfshinte edhe Kanadanë dhe Turqinë. Lista pritet të rishikohet çdo dy javë në mënyrë që vende të tjera të shtohen më vonë.  Më herët këtë muaj, komisioni evropian nënvizoi se rihapja e kufijve me vendet jo anëtare të BE në Ballkanin perëndimor, përfshirë Shqipërinë, ishte prioritet nga 1 korriku. Sidoqoftë, Kroacia anëtare në BE tha javën e shkuar se udhëtarët nga Serbia, Kosova, Bosnje Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut do të përballeshin me izolim 14 ditor në hyrje për shkak të një rritjeje të infektimeve.

Top Channel