Prodhuesi i ilaçit që duket se shkurton kohën e rikuperimit për pacientët e sëmurë rëndë me COVID-19, thotë se do të faturojë çmimin prej 2,340 dollarë për një kurs trajtimi tipik për individët e mbuluar nga programet shëndetësore të shteteve amerikane dhe vende të tjera të zhvilluara.

Kompania “Gilead Sciences” njoftoi çmimin të hënën për ilaçin Remdesivir, ndërsa tha se për pacientët me siguracione shëndetësore private kura do të kushtonte 3.120 dollarë. Shuma që pacientët do të paguajnë nga xhepi varet nga siguracioni, të ardhurat dhe faktorë të tjerë. “Jemi në një territor të panjohur me çmimet e ilaçit të ri, një ilaç të ri në kohën e pandemisë”, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press Dan O’Day, shefi ekzekutiv i kompanisë Gilead.

“Besojmë se na është dashur të devijojmë nga rrethanat normale dhe të vlerësojmë ilaçin për të siguruar qasje të gjerë në vend që të bazohemi vetëm tek vlera e ilaçit për pacientët.” Por çmimi u kritikua menjëherë, ndërsa një grup për konsumatorët e quajti veprimin si fyerje, si rezultat i shumës së parave nga taksapaguesit të investuar për zhvillimin e ilaçit. Në 127 vende të varfëra ose me të ardhura të mesme, kompania Gilead po i lejon kompanitë farmaceutike të prodhimit të ilaçeve të zakonshme që të furnizojnë klientët me ilaçin në fjalë. Dy shtete po zbatojnë këtë praktikë duke ofruar ilaçin me një çmim prej 600 dollarësh për kurë.

Top Channel