“S’kemi zgjidhje tjetër veç dialogut me Serbinë”/ Hoti: Takimi së shpejti, do prezantojmë qëndrimet tona

27/06/2020 11:24

Në një deklaratë për mediat, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaroi se së shpejti do të ketë një takim me Serbinë, teksa foli për procesin e dialogut të drejtuar nga BE-ja dhe për anulimin e udhëtimit në Uashington.

“Ne mbesim të përkushtuar për dialogun. Besojmë thellë që dialogu nuk ka alternativë. Këtë qëndrim e kam prezantuar edhe në BE. Është me interes për Kosovën që ky proces të mbyllet sa më shpejt, duke qenë se ka interesim të madh nga BE dhe SHBA. Për shkak të zhvillimeve kemi shtyrë vizitën në Uashington. Kemi rënë dakord bashkë me të dërguarin special Grenell për shtyrjen e takimit. Pas diskutimit që kemi pasur më të, jemi pajtuar që ta shtyjmë për një datë tjetër, që do të caktohet së shpejti. Agjenda e takimit mbetet e njëjtë, për t’i dhënë shtysë dialogut përmes zhvillimit ekonomik. Axhendën për këtë samit do ta kemi së shpejti. Nuk kemi zgjidhje tjetër veç dialogut me Serbinë. Nuk ka dyshime kush e udhëheq dialogun për Kosovën. Në dialog do prezantojmë qëndrimet tona. Se kush flet në emër të Kosovës nuk ka asnjë dyshim”, u shpreh Hoti.

Më tej shtoi:

“Ka një mirëkuptim nga Komisioni që i kemi plotësuar kushtet për vizat. Janë dy-tre vende që janë ende skeptike për këtë çështje, por nuk mund të jap datë. Kushtet se në të cilat ne do të dialogojmë janë caktuar. Platformë për dialog kam vetëm Kushtetutën, nuk bisedojmë për integritetin territorial.”

 

Top Channel