Sekuestrohen fidanë narkotikë, armë gjahu dhe celularë/ Arrestohen 3 persona në Mallakastër

25/06/2020 12:38

Vijon kontrolli masiv i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, kështu është finalizuar me sukses operacioni antikanabis i koduar “Rromës”.

Sekuestrohen fidanë narkotikë, fara kanabisi, një armë gjahu dhe shtatë aparate celularë.

Vihen në prangat e Policisë 3 shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në vijim të kontrollit të territorit dhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, pas një hetimi njëmujor, finalizuan me sukses operacionin antikanabis të koduar “Rromës”.

Si rezultat i operacionit, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër u arrestuan në flagrancë shtetasit:

T. A., 32 vjeç, banues në Gjonçë, Fier dhe A. A., 31 vjeç, banues në Cakran, Fier.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore operacionale u bë edhe ndalimi i shtetasit I. M., 27 vjeç, banues në Cakran, Fier.

Ndalimi dhe arrestimi i tyre u bë pasi nga tërësia e veprimeve hetimore u bë i mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale të kryer nga këta shtetas në drejtim të tentativës për të kultivuar kanabis.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njeri – tjetrin, në një zonë të pyllëzuar në fshatin Rromës, Mallakastër, kishin kultivuar fidanë narkotikë kanabis, të cilët u asgjësuan gjatë operacionit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi farash kanabisi, një armë gjahu dhe shtatë aparate celularë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” të kryera në bashkëpunim.

Top Channel