Paralajmërimi i mjekëve britanikë: 10 milionë testeve të blera nga qeveria, nuk u zihet besë!

25/06/2020 14:30

Miliona testeve të antitrupave të blera nga qeveria britanike “nuk mund t`i zihet besë” pavarësisht se kryeministri Boris Johnson i ka përshkruar si një “zhvillim që e ndryshon të gjithë lojën”.

Mjekët britanikë sipas “The Sun” po ngrenë pyetje mbi saktësinë e këtyre testeve dhe kuptimin e vërtetë të rezultateve.

Muajin e kaluar, ekzekutivi në Londër bleu 10 milionë teste nga Abbott dhe Roche, pasi studime e Institutit të Shëndetit Publik në Angli treguan se ato janë efikase. Por tani, në një letër të hapur për Gazetën Mjekësore Britanike (BMJ) një grup mjekësh dhe akademikësh të vjetër pohojnë se nuk ka arsye të vlefshme klinike për testimin në shkallë të gjerë që po kryhet.

Baronesha Dido Harding, e cila drejton programin e testimit dhe gjurmimit për NHS pranoi se nuk dihet ende me saktësi niveli i mbështetjes që ofrojnë teste të tilla. Kjo në kohën kur profesori Jon Deeks, i cili drejtoi rishikimin e parë sistematik të studimeve mbi testet e antitrupave të Covid 19, deklaroi: “Ne nuk kemi shumë të dhëna dhe nuk mund t’i besojmë shumë atyre.

“Deri më tani në Mbretërinë e Bashkuar, nga koronavirusi kanë humbur jetën mbi 43,000 persona. Disa ekspertë argumentojnë se testet e antitrupave “nuk tregojnë imunitet” dhe pretendojnë se koncepti i të ashtuquajturave pasaporta të imunitetit që do t’u lejonin njerëzve të ktheheshin në punë lirisht, nuk është qartësuar ende.

Top Channel