“Nëse nuk ngrihet në kohë Kushtetuesja humbasim të gjithë”/ Gjonaj: S’është koha të ngadalësojmë procesin

25/06/2020 12:55

Gjatë fjalës së saj në seancën e sotme plenare, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh se fakti që Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese mbeti pothuajse bosh, nuk duhet parë si problem i vettingut, por si problem me atë sistem të trashëguar dhe mungesën e integritetit të këtyre gjyqtarëve të shkarkuar.

“Zbatimi i reformës në drejtësi ka arritur në një pikë sa kyçe po aq delikat ku renditen një sërë rezultatesh pozitive, ku janë ngritur dhe ushtrojnë funksionin të gjitha Institucionet e reja të drejtësisë, por duke qenë ende në fazën fillestare të saj, gjendet gjithmonë e rrezikuar nga ata që tentojnë në mënyrë të vazhdueshme ta minojnë. Që të konsiderohet një drejtësi tërësisht funksionale dhe të realizohen pritshmëritë e qytetarëve kërkon ende kohën e nevojshme të saj.

Në një reformë kaq radikale dhe komplekse pa dyshim ka aspekte që nuk kanë shkuar mirë dhe nuk janë ndjekur të gjitha proceset në kohë siç është plotësimi me anëtarë të GJL dhe Gjykatës Kushtetuese por kjo nuk do të thotë në asnjë moment se është dështim i reformës.”

Më tej, Gjonaj tha se reforma në drejtësi dhe njerëzit që iu përkushtuan asaj vazhdojnë të marrin sulme të përditshme, dhe qëllimi i vetëm është ngadalësimi i punës së institucioneve të reja dhe mos vijimi i zbatimit të saj.

“Ky është një moment i rëndësishëm ku përpos sulmeve nuk është koha për të ngadalësuar proceset e zbatimit të reformës në drejtësi, përkundrazi duhet të gjitha institucionet e drejtësisë të jenë të bashkërenduara për të vijuar misionin e tyre. Opinioni i Komisionit të Venecias në asnjë rresht të saj nuk preku parimet e vendosura nga Reforma në Drejtësi. Komisioni i Venecias i dha të drejtë Kuvendit me mënyrën e kuptueshmërisë dhe zbatimit së nenit 179/2 të Kushtetutës për sekuencën e emërimeve në GJK.

Komisioni i Venecias ne asnjë rresht të saj nuk tha që është gabim mekanizmi zhbllokues për procedurën e betimit të Presidentit por për shkak të ngërçeve politike që të mos përsëriten në të ardhmen të mund të ngrihet në nivelin e kushtetutës.  Komisioni i Venecias në asnjë rresht të saj nuk përmendi që mekanizmi zhbllokues për emërimin e anëtares të GJK është i pavlefshëm. Por meqënëse në një situatë komplekse, të paprecedentë kur GjK ka mbetur pa gjyqtarë, kur kandidatët janë të paktë, në të ardhmen palët duhet të jenë më të koordinuar. Por unë besoj ashtu si të gjithë ata që e kanë lexuar dhe studiuar me vëmendje Komisionin e Venecias arrijnë të kuptojnë se kjo nuk është një ndeshje me të fituar dhe të humbur, pasi në fund të fundit nëse Gjykata Kushtetuese nuk ngrihet në kohë, humbim të gjithë.

Padyshim viti 2019 ka sjellë një sërë rezultatesh të shumëpritura të zbatimit të reformës në drejtësi. Ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, përzgjedhja e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, ngritja dhe funksionimi i Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vijimi i punës për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese janë tregues të hapave pozitiv përpara, por që kërkojnë ritme shumë më të shpejta për të përmbyllur sa më parë ciklin e formatimit të institucioneve të reja dhe funksionimin tërësor të tyre. Këshillat si pjesë e një sistemi të ri, padyshim kanë bërë një punë të mirë gjatë vitit 2019, ku krahas rregullimit të kuadrit ligjor të brendshëm dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë kanë ndjekur disa nga prioritete të rëndësishme të reformës në drejtësi. Jetësimi i reformës dhe funksionaliteti i strukturave të reja është proces i vështirë, që kërkon vizion, vendosmëri e qartësi nga Këshillat në radhë të parë dhe institucionet e tjera në rradhë të dytë. Sfidat e hasura duhen kaluar nëpërmjet masave konkrete me reagim të shpejtë dhe me rezultate konkrete. Janë këto këshilla që duhet të bëjnë që vendimmarrja klienteliste e ish-KLD-së të duket si një histori e largët dhe të bëj dallimin me atë institucion që ndikoi në degradimin e sistemit të drejtësisë. Janë këshillat që duhet të garantojnë me pavarësinë e tyre dhe pa interesa personale apo ndikime të paligjshme promovimin e kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë me integritet, të marrin vendime të drejta për rastet e shkeljeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vendime të cilat kanë kohë që mungojnë.”

Po kështu, ministrja deklaroi:

“Kuvendi, Qeveria, Ministria e Drejtësisë i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin ende mbështetje aktive të pakushtëzuar, procesit të reformimit të drejtësisë shqiptare, të bindur si një nga investimet më të mëdha në këto 30 vitet e fundit.  Mbështetja, asistenca dhe kontributi i Bashkimit Evropian dhe SHBA-së si dhe misioneve të tyre, kanë qenë faktor kyç që në nisje të reformës që në nisje por edhe në këtë fazë tepër të rëndësishme që ka të bëjë me zbatimin e saj dhe arritjen e rezultateve të shumëpritura, sidomos për funksionimit me efikasitet të GJL dhe GJK.

Viti 2020 duhet të jetë viti i rezultateve të drejtësisë, dhe është momenti që Këshillat të jenë proaktive për ta kthyer në tërësisht funksionale sistemin e drejtësisë, për të plotësuar të gjitha vendet vakantenë GJL dhe për rrjedhojë edhe plotësimin e vendeve vakante në GJK. Institucionet e drejtësisë duhet të jenë të bashkërenduar dhe të koordinuar me të gjithë partnerët ndërkombëtarë me të gjitha institucionet e drejtësisë, për ndjekjen e prioriteteve për të garantuar rezultatet kyçe dhe në kohë sa më të shpejtë.

Të gjithë presim që institucionet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë të dëshmojnë përgjegjshmëri, rol proaktiv dhe transparencë shumë më të mirë në vendimmarrjen e tyre në shërbim të qytetarëve shqiptarë.”

Top Channel