Ministri Erkin Reci

Në mbrojtjen e tij para trupit gjykues, Darko Tasiç nuk u deklarua, duke e shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje, por gjatë gjykimit ka mohuar fajësinë për akuzat e prokurorisë

Departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Prizrenit, e ka shpallur dje fajtor dhe e ka dënuar me 22 vjet burg për krime lufte kundër popullatës civile, të akuzuarin nga fshati Krushë e Vogël e komunës së Prizrenit, Darko Tasiç.

Sipas njoftimit për media nga Gjykata Themelore e Prizrenit, ai është dënuar “për krime lufte kundër popullatës civile e paraparë dhe e dënuar me nenin 142 në ndërlidhje me nenin 22 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Fedarative të Jugosllavisë (KPRSF) të datës 28 shtator 1976”.

Tasiq u shpall fajtor në dy pika të aktakuzës. Sipas pikës së parë, ai mes datave 15 deri 26 mars të vitit 1999 në Krushë të Vogël, si pjesëtar rezervë i Policisë së Republikës Federale të Jugosllavisë apo forcave paraushtarake serbe, me persona të tjerë, ka marrë pjesë “në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë, që nuk justifikohej me nevojat ushtarake”.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës në të cilën u shpall fajtor, ai u ngarkua me veprime të tjera si “pjesëmarrës në përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në Lumin Drin”.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se ky është një nga rastet që tregon se “jemi të angazhuar fuqishëm për të vendosur para drejtësisë të gjithë ata që janë të dyshuar për krime të luftës”.

Selimi tha se një nga problemet e gjykimeve të të dyshuarve për krime të luftës është fshehja e tyre si në Serbi e në vende të ndryshme, ndërsa për këtë çështje, në bazë të rekomandimeve të Komisionit të Venedikut, tha se do ta bëjnë edhe “mundësinë e gjykimit në mungesë”, për të cilën ai thotë se “do të ishte një hap shtesë që këta kriminelë të sillen para drejtësisë”.

“Kjo është një prej rasteve të cilat tregojnë që ne jemi të angazhuar fuqishëm për të vënë para drejtësisë të gjithë ata që janë të dyshuar për krime të luftës, e ne kemi shumë e shumë të cilët kanë kryer krime të luftës dhe shumë prej tyre fshihen qoftë në Serbi, qoftë diku tjetër. Kjo çfarë ka ndodhur, ky gjykim dhe dënim, sigurisht që është dashur të ndodhë shumë më herët, por ne kemi shpresa të mëdha që kjo do të intensifikohet edhe më shumë”, tha Selimi.

Në mbrojtjen e tij para trupit gjykues, Darko Tasiç nuk u deklarua, duke e shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje, ndërsa gjatë gjykimit ka mohuar fajësinë për akuzat e prokurorisë, duke u deklaruar i pafajshëm. (Anadolu)

Top Channel