Gjykata dha masën arrest me burg për Sebastian Malin, i cili dyshohet se është një ndër autorët e përfshirë në vrasjen e Hekuran Billës, me 11 qershor në Tiranë. Ai është dhe nipi i Prel Marku. Ky i fundi u vra nga Billa në vitin 2006 në një lokal në Angli.
Për 22 vjeçarin Mali, policia e ka gjurmuar dhe ndjekur atë për ditë me radhë, derisa arriti të grumbullonte faktet dhe provat shkencore që ai është një nga bashkëautorët për ekzekutimin e Billës përpara një qendre tregtare në datë 11 qershor.
Ndërkohë gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raportoi më herët se si duke përdorur kartën e klientit korrekt, Sebastian Mali mbërriti në një pikë servisi në Laprakë, tre orë para vrasjes së Hekuran Billës. Nën justifikimin se kishte takim me të dashurën, ai kërkoi makinën e tyre.
Ai iu lut punonjësit të servisit që të parkonte makinën e tij “Smart” në servis dhe të merrte me vete një makinë “Nissan Micra” që më vonë shfaqet në një radhë kamerash sigurie teksa i paraprin makinës së vrasësve që mbrëmjen e 11 qershorit qëlloi me 19 plumba Billën.
Sipas prokurorisë kjo zbuloi skemën e përdorur nga vrasësit. Pikërisht me këtë “Nissan Micra” u shoqërua automjeti që më pas u gjet i djegur mbas krimit në fshatin Pezë. Sipas burimeve të sigurta të Top Channel, Sebastian mali e mori mjetin 20 e 30 minuta të datës 11 qershor, me justifikimin se do të takonte të dashurën. Ai u rikthye në 23:00 për të marrë më pas makinën e tij që kishte parkuar në servis.
Për këtë nder ai i kishte qerasur punonjësit e servisit me një pije freskuese, por edhe makina “Smart” nuk ishte në pronë të të riut, ishte marrë me qira në Shkodër.
Hetimet zbuluan se Viktor Marku e mori me qira “Smart-in” më dy mijë lekë dita dhe pas krimit motra e tij u paraqit dhe pagoi detyrimin përkatës.
Nga kqyrja e sistemit TIMS rezulton se Viktor Marku ka dalë nga Shqipëria në datën 19 janar thonë burime të prokurorisë, që saktësojnë se pavarësisht kësaj alibie një dëshmitar në Shkodër i rrëfeu policisë se mjetin “Smart” ja kishte dhënë Viktor Markut, që është vëllai i Prel Markut, i vrarë nga Hekuran Billa në Britaninë e Madhe.
Top Channel