Veliaj dorëzon çelësat e banesës së re të familjes Rrushi në Zall-Herr: Në 10 muaj mbyllëm të gjitha shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i shtatorit”

20/06/2020 14:52

Bashkia e Tiranës mban premtimin për rindërtimin shtëpive të dëmtuara rëndë nga tërmeti i shtatorit. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i dorëzoi çelësat e banesës së re familjes Rrushi në Zall-Herr, derën e së cilës e hapi djali i vogël i shtëpisë. “

Jam shumë krenar për skuadrën që ka punuar këtu. E di, ata që po na shohin në televizor po thonë: ‘Mirë Lymi dhe Vera u gëzuan, po ne kur do të gëzohemi?’. Kam lajme edhe për ta: për 3000 vetë kemi kaluar pagesat cash, të cilat mund t’i përdorin për ta rregulluar vetë shtëpinë; kurse për kategoritë DS4 dhe DS5, që përfshin shtëpitë e dëmtuara rëndë, do kontraktojmë kompani që do t’i rindërtojnë. Kemi kaluar 200 shtëpitë e para”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se pa kaluar as 10 muaj nga tërmeti i shtatorit dhe pothuajse të gjitha familjet, shtëpitë e të cilave u dëmtuan nga tërmeti i shtatorit, kanë marrë zgjidhje. Veliaj solli në vëmendje rastin e përmbytjeve në Shkodër, ku familjet e prekura nuk mundën të merrnin asnjë ndihmë nga qeveria e mëparshme. “Kaluan 10 vite nga përmbytjet në Shkodër dhe banorët nuk i morën dot lekët nga qeveria e mëparshme. Ndërkohë, sot

jemi dita me natën. Për më pak se 10 muaj mbyllëm të gjitha shtëpitë e shtatorit. Na dhëntë Zoti kohë të mirë, vullnet, zemër të madhe, që gjatë gjithë verës të punojmë non- stop. Kur qytetarët të ikin me pushime, të rikuperojmë edhe një pjesë të madhe të shtëpive të nëntorit dhe sa më shumë familje të futen në banesë para datës 26 nëntor. Më pas do fillojmë me pallatet, që sigurisht do marrin pak më shumë kohë”, tha ai. Sakaq, kryebashkiaku u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që u ka dalë emri në listën me 3 mijë familje, që të paraqiten tek njësitë administrative apo në postë për të tërhequr çekun me para. “Dua të ftoj qytetarët që u ka dalë emri në listë, të paraqiten tek njësitë

administrative ose në postë për të tërhequr çekun. Besoj se do vijojmë me këtë ritëm nga 3000 e nga 3000, deri sa të kemi mbi 10 mijë familje që do marrin pagesën cash për apartamentet dhe shtëpitë e dëmtuara në Tiranë. Janë mbi 800 shtëpi, ku çdo javë, nga 200 e 200, do lidhim kontratat me kompanitë për rindërtimin e tyre”, tha Veliaj.

Veliaj falenderoi të gjithë ata që u solidarizuan dhe adoptuan nga një shtëpi, teksa shteti përgatitet për banesat e tjera që do të rindërtohen së shpejti. Për rindërtimin e banesës, një ndihmë të çmuar dha kompania Kupa shpk, e cila iu përgjigj menjëherë thirrjes së kryebashkikut Veliaj për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA