Trump: Do të vazhdojmë përpjekjet për të anuluar DACA-n

20/06/2020 04:37

Presidenti Donald Trump tha të premten se do të vazhdojë përpjekjet e administratës për të hequr mbrojtjen ligjore DACA për immigrantët që u sollën në SHBA në moshë të vogël, pa dokumente. Presidenti i bëri komentet pasi Gjykata e Lartë i bllokoi përpjekjet e deritanishme të administratës.

Përmes një komenti në Twitter të premten, Presidenti Trump tha “Gjykata e Lartë na kërkoi të paraqesin përsëri argumentin tonë kundër DACA-s; asgjë nuk është humbur apo fituar. E “pasuan” si në ndeshje futbolli (ku shpresoj se lojtarët do të qëndrojnë në këmbë për Flamurin Tonë të madh). Do ta paraqesim çështjen përsëri”.

Gjykata e lartë dha të enjten vendimin se administrata Trump kishte ndalur në mënyrë të parregullt në 2017 aktin Pezullimi i Veprimeve kundër Personave të Ardhur në Moshë të Vogël, i njohur si DACA. 5 nga katër anëtarët: kryetari i Gjykatës John Roberts si dhe katër anëtarët liberalë të gjykatës dolën kundër veprimit të administrates, ndërsa katër anëtarë konservatorë e cilësuan DACA-n të paligjshëm. Presidenti përsëri ka mundësi të pezullojë mundësinë për punësim apo status të ligjshëm në SHBA. Në mungesë të një zgjidhjeje ligjore për momentin, pasiguria e tetë vjetëve të fundit vazhdon.

Aktivistët zotohen të vazhdojnë betejën për një zgjidhje afat-gjatë për 650 mijë imigrantë që erdhën në SHBA kur ishin fëmijë. Shtëpia e Bardhë ka përcaktuar si përparësi kufizimin e imigracionit dhe Kongresi, ku Dhoma e Përfaqësuesve është nën kontrollin demokrat dhe Senati nën kontrollin e republikanëve, nuk pritet të miratojë ligje që u ofrojnë këtyre të rinjve mundësinë për shtetësi së shpejti.

Ken Cuccinelli, drejtor në detyrë i Agjencisë Amerikane për Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit tha të premten se administrata po fillon nga e para: “Do të veprojmë sa më shpejt që ta kemi të mundur për t’i paraqitur presidentit alternative,” por këto janë alternativa të degës ekzekutive, tha zoti Cuccinelli për emisionin “Fox & Friends.” “Kjo lë të hapur mundësinë që Gjykata e Lartë të marrë ende zgjidhjen e duhur dhe që Kongresi të bëjë detyrën,” tha ai. Zoti Cuccinelli tha se Senatori demokrat Dick Durbin, bëri komente pozitive të enjten duke u shprehur se administrate mendon se është e mundur të zhvillohet një bisedë konstruktive me Kongresin.

Presidenti Trump e kritikoi vendimin e gjykatës duke komentuar në Twitter “Këto vendime të tmerrshme dhe të ngjyrosura politikisht të dala nga Gjykata e Lartë të cilat janë shkrepëtima në fytyrë të amerikanëve që me krenari e prezantojnë veten si republikanë apo konservatorë,” siç duket duke iu referuar edhe një vendimi tjetër të Gjykatës së Lartë këtë javë që është e paligjshme të pushohen punonjësit thjesht sepse janë homoseksualë apo transeksualë.

Por ekspertët thonë se nuk mjafton koha për ta rrëzuar programin DACA para zgjedhjeve të nëntorit. Vendimi i gjykatës u prit me habi, gëzim dhe ankth nga imigrantët dhe activistët që e kanë të qartë se kjo është vetëm një zgjidhje e përkohëshme. “Për ne kjo ishte fitore,” tha me lot në sy Diana Rodriguez, një 22-vjeçare e mbrojtur nga programi DACA. Ajo punon në organizatën Koalicioni i Nju Jorkut për Imigracionin dhe shtoi se nuk është kthyer asnjëherë në Meksikë që kur u largua nga vendlindja e saj për t’u vendosur në SHBA në moshën 2-vjeçare. Vendimi nënkupton se imigrantë në moshë të re mund të vazhdojnë të punojnë në mënyrë të ligjshme, duke u dhënë mundësi atyre të vazhdojnë të kontribuojnë në SHBA.

Demokratët në Kongres duket se janë të kënaqur tani që Gjykata e Lartë ka dhënë vendimin e saj. Por republikanët këmbëngulën se tani, më shumë se kurrë është momenti për të sqaruar sistemin e imigracionit. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi e bëri të qartë se demokratët nuk do të merreshin me këtë temë para pushimeve të verës dhe se nuk ishin të interesuar të takoheshin me republikanët për të diskutuar kërkesën e presidentit për fonde për murin në kufi, një ndër kërkesat kryesore të presidentit për reformat e imigracionit. “Askush nuk do të bëjmë marrëveshje të tilla ku të shkëmbejmë murin për imigracionin,” tha ajo.

Kandidati demokrat për president Joe Biden tha se nëse zgjidhet do t’u dërgojë ligjvënësve një projektligj në ditën e parë në detyrë për ta bërë të përhershëm mbrojtjen që ofron programi DACA. Programi u krijua gjatë një ngërçi mes Kongresit dhe administratës Obama në 2012. Nën presion të fortë nga të rinj aktivistë, Presidenti Obama vendosi të ofrojë mbrojtje nga deportimi si dhe të drejtën e punës për këta persona. Imigrantët që janë konfirmuar si përfitues të programit DACA do të vazhdojnë të përfitojnë nga kjo mbrojtje, por dhjetëra mijëra të tjerë nuk kanë arritur të përfitojnë pasi Presidenti Trump e pezulloi programin tre vjet më parë.

Instituti për Politika për Imigracionin përllogarit se rreth 66 mijë të rinj përmbushin standardet për të përfituar nga programi DACA, por nuk kanë arritur të regjistrohen dhe se tre vjetët e fundit administrata vetëm ka riaktivizuar statusin e atyre që e kanë marrë më parë mbrojtjen nga programi.

Top Channel