Shkencëtarët italianë thonë se uji i kanalizimeve nga dy qytete mbante gjurmë koronavirusi që në dhjetor, kohë përpara se të konfirmoheshin rastet e para në vend.

Instituti kombëtar i shëndetit tha se uji në Milano dhe Torino tregonte gjurmë gjenetike të virusit më 18 dhjetor. Kjo i shtohet provave nga vende të tjera se virusi mund të ketë qarkulluar shumë më herët nga sa mendohet. Zyrtarët kinezë konfirmuan rastet e para në fund të dhjetorit. Rasti i parë i konfirmuar në Itali ishte në mes të shkurtit.

Në maj, shkencëtarët francezë thanë se teste të kampionëve tregonin se një pacient i trajtuar për pneumoni të dyshimtë në afërsi të Parisit, më 27 dhjetor, ishte në fakt i prekur nga koronavirusi. Ndërkohë në Spanjë, një studim zbuloi gjurmë të virusit në ujin e kanalizimeve të mbledhur në mes të janarit në Barcelonë, rreth 40 ditë para zbulimit të rastit të parë lokal. Në studimin e tyre, shkencëtarë të institutit kombëtar të shëndetit në Itali, ekzaminuan 40 kampionë të marrë nga impiantet e trajtimit të ujërave të zeza në Italinë veriore mes tetorit të shkuar dhe shkurtit.

Kampionë nga tetori dhe nëntori rezultuan negativë cka tregonte se virusi nuk kishte mbërritur ende. Uji i kanalizimeve nga Bolonja, nisi të tregonte gjurmë virusi në janar. Zbulimi mund të ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë se si virusi ka nisur të përhapet në Itali. Rasti i parë i njohur, jo i importuar i virusit, në Itali, ishte një pacient nga Codogno në rajonin e Lombardisë. Qyteti u izolua dhe u shpall zonë e kuqe më 21 shkurt. Më shumë se 40 mijë vetë kanë humbur jetën si pasojë e covid 19 në itali.

Top Channel