Shkëmbimi i territoreve, Grenell: Ide e Bolton, jo e Trump

19/06/2020 15:45

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Tump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, Richard Grenell, thotë se takimi i udhëheqësve të të dyja vendeve me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, do të jetë i përqendruar vetëm në çështjet ekonomike.

” qenë i qartë me të gjithë, Shtetet e Bashkuara, mendojnë se kjo përplasje 20-vjeçare mes Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhet vetëm përmes normalizimit ekonomik, vendeve të punës për të rinjtë dhe një ekonomie që rritet”, thotë Grenell që vec të tjerash nënvizon se po bashkëpunon edhe me këshilltarët francezë dhe gjermanë për sigurinë kombëtare.

SHBA sipas Grenell është e përqendruar tek faza ekonomike ndërsa cështjet politike janë cështje evropiane. Ai hodhi poshtë ndërkohë zërat se administrata Trump po kërkon një marrëveshje të shpejtë. “Kjo është tërësisht e gabuar. Ne nuk kemi afate kohore”, tha ai.

Ndërkohë Grenell fajëson ish këshilltarin për sigurinë kombëtare të presidentit Trump, John Bolton, për faktin se ai e gjen veten vazhdimisht në një situatë në të cilën mohon zërat për shkëmbime kufijsh.

“Në mënyrë konstante, unë kundërshtoj zërat për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk është një politikë e Trumpit por nëse do të bëhen kërkime më të thelluara, kjo është ajo që ka thënë Bolton”, tha Grenell në një intervistë për Fox News.

Ai nënvizoi se është në një situatë të tillë sepse Bolton është përpjekur të vërë në zbatim agjendat e tij personale e jo të presidentit në çështje të ndryshme, mes tyre edhe cështja e Kosovës. John Bolton në fakt, tha gushtin e shkuar, se shkëmbimi i territoreve në kosovë nuk është më një vijë e kuqe për shtetet e bashkuara, e kjo u interpretua gjerësisht si një ndryshim në pozicionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zgjidhjen finale të cështjes së Kosovës.

Top Channel