Programi për emigrantët/ Gjykata Supreme rrëzon Donald Trump

19/06/2020 12:43

Ata që njihen si “dreamers”, apo ëndërrimtarët, kanë përshëndetur vendimin e gjykatës supreme amerikane, që refuzoi përpjekjen e presidentit Donald Trump, për ti dhënë fund programit që mbron emigrantët pa dokumente që kanë hyrë në SHBA, kur kanë qenë minorenë.

Sipas tyre, gjykata supreme vendosi të qëndronte në anën e duhur të historisë, kur bllokoi lëvizjen e administratës Trump për ti dhënë fund programit të erës Obama, që mbronte emigrantët e rinj të hyrë ilegalisht në SHBA kur ishin fëmijë, nga deportimi.

Në vendimin e gjykatës për rreth 650,000 imigrantë të rinj thuhet se ata mund të vazhdojnë të jetojnë dhe punojnë në SHBA pa pasur frikë nga deportimi. Megjithatë, në vendimin e Gjykatës Supreme, këtyre të rinjve nuk iu garantohet se do të mund të përfitojnë shtetësinë amerikane. Presidenti Trump menjëherë ka reaguar pas këtij vendimi, duke thënë se gjykata ka lëshuar “vendime të tmerrshme” kundër Republikanëve dhe konservatorëve.

Në shtatorin e vitit 2017, administrata Trump deklaroi se do t’i jepte fund programit të ashtuquajtur DACA, që mbron të rinjtë imigrantë, që janë pa dokumente. Ky ishte edhe njëri ndër premtimet e Trumpit gjatë fushatës zgjedhore. Paraardhësi i Trumpit, Barack Obama kishte prezantuar skemën DACA përmes një urdhri ekzekutiv më 2012, pasi Kongresi amerikan për vite me radhë kishte dështuar të miratonte një reformë mbi imigrimin.

Top Channel