Dështon shembja me shpërthim/ Tiranë, pallati për Unazën e Re rrëzohet me fadromë

18/06/2020 15:48

Këto janë rrënojat e një godine gjashtë katëshe në zonën e shkozës për të cilën Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, vendosi ta shemb më shpërthim të kontrolluar për ti hapur rrugë vazhdimit të projektit të unazës së re për lotin e tretë.

Por shpërthimi rezultoi i pasuksesshëm për shkak të peshës së lehtë të objektit , por edhe sasisë së vogël të lëndës plasëse të vendosur, për shkak të banesave përreth, siç njoftoi zyrtarisht IKMT.
Më pas objekti u shemb me disa goditje të një fadrome.

Ky është objekti i 12-të që shembet për lotin e tretë duke përmbyllur kështu fazën e parë, ndërkaq pritet të ketë edhe një tjetër fazë për shembjen e objekteve të tjera të ndërtuara në gjurmën ku do të kalojë unaza e re në zonën lindore të Tiranës.

Puna aktualisht po vijon për lotin e parë dhe të dytë, në zonën e Astirit, aty ku që prej nëntorit të vitit të kaluar, janë shembur rreth 45 objekte dhe shtëpi banimi të cilat pengonin vijimësinë e projektit.

Top Channel