66 raste me Covid-19 në vend/ Infektohet drejtuesja e një qendre për fëmijët me aftësi ndryshe në Elbasan

18/06/2020 10:44

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë regjistruar 66 raste të reja me koronavirus dhe ka humbur jetën në tjetër person, njofton Ministria e Shëndetësisë.

Një punonjës i policisë së Elbasanit ka rezultuar pozitiv me covid 19 duke rikthyer panikun e infektimeve masive për shkak të virusit në institucionet publike.

Ende nuk ka një përgjigje të saktë Drejtoria e Shëndetit Publik të Elbasanit se si do të veprohet në rastin e këtij punonjësi policie, pra do të ketë ose jo vendosje të komisariatit në karantinë pasi rasti në fjalë është referuar si rast i kryeqytetit përderisa punonjësi i policisë është banues në Tiranë, por punonjës në Elbasan.

Ndërkohë që Instituti i Shëndetit Publik do të vendosë për zbatimin e protokollit në lidhje me komisariatin e Elbasanit, rasti i dytë i identifikuar me Covid 19 është ai drejtoreshës së një qendre për fëmijët me aftësi ndryshe, edhe ky një rast që mund të kthehet në burim infeksioni.

Qendra ka funksionuar deri dje duke ofruar shërbimet e saj edhe pse disa herë me radhë ajo është dezinfektuar sipas normave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë.

Shkon në këtë mënyrë në 9 numri i të prekurve me covid 19 në qarkun e Elbasanit, dy prej të cilëve në Bashkinë e Belshit dhe pjesa tjetër në Bashkinë e Elbasanit. Shumica e rasteve janë raste të cilat janë infektuar në kryeqytet.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 9 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë në 1086.

Aktualisht ne sherbimin infektiv po marrin shërbim 55 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 janë të intubuar.

Në vendin tonë janë aktualisht 663 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.

Top Channel