Domate Berati për “sheikët”/ Fermerët shqiptarë eksportojnë në Dubai

17/06/2020 15:39

Të eksportosh domate dhe luleshtrydhe me avion drejt Dubait për shkak të cilësisë.

Kjo është kontrata që një fermer nga Berati ka bërë së fundmi me sheikun, duke u shprehur se horizonte të reja po hapen drejt biznesit të tij. Resmi Hatij, në vitin 2010 braktisi Greqinë sëbashku më vëllezërit e tij, për të investuar në Shqipëri.

Ata hapën një pikë grumbullimi të fruta-perimeve në Rerëz të Beratit, duke iu ardhur kështu në ndihmë edhe fermerëve të zonës që kultivojnë prodhime bujqësore. Resmiu thotë se perimet e para që u eksportuan kishin si destinacion vendet e Ballkanit, ndërsa sot domatet e Beratit i konsumon një nga vendet më të pasura të botës.

“Para një muaji ne kemi arritur të eksportojmë në Dubai me avion nga Tirana. Kjo ka qenë ngarkesa më e veçantë”, thotë grosisti.

Gazetarja e Top Channel, Rudina Muça, e pyeti se cfarë ka eksportuar konkretisht.

“Kam eksportuar domate dhe luleshtrydhe”.

Gazetarja e pyeti se si e mësoi ai për domatet shqiptare.

“Vëllai im i madh u lidh me të, pasi më eksportojmë edhe në Irak dhe Siri për sheikët që ndodhen atje”, rrëfen Resmiu.
Në vitin 2015 familja Hatija kërkonte të zgjeronte biznesin. Pasi dëgjoi thirrjen e Agjencisë së Zhvillimit Rural Bujqësor nga Skema Kombëtare Mbështetëse ai përfitoi 20 mln lekë të reja.

” Këto para ne i investuam për të rritur kapacitetin e duhur për përballimin e tregut, sepse me magazinën që kishim më parë nuk e furnizonim dot tregun”, tregon ai.

“A ishte e nevojshme që godinë e tillë të nderoheshe për këtë biznes”, pyet gazetarja.

“”Po shumë. Nga 2015 e këtej si biznes kemi pas rritje me 70%” , thotë Resmiu.

Në 5 vitet e fundit fruta dhe perimet shqiptare pothuajse janë dërguar në të gjithë Evropën.

“Në eksportojmë 600-700 kamionë me fruta dhe perime. Afërsisht i bie 13 mijë ton”.

Top Channel