Në studion e emisionit “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo.

Kur duket se opozita jashtë parlamentare, PD-LSI ka bashkuar forcat për zgjedhjet e 2021, Partia Socialiste ende nuk ka marrë ndonjë hap në këtë aspekt. Për këtë arsye, gazetari Denis Dyrnjaja pyeti Paskal Milon se a ekziston mundësia që partia që ai kryeson të krijojë një koalicion me Partinë Socialiste.

Milo tha se një kërkesë e tillë deri në këto momente nuk ka ardhur, por nuk përjashtohet mundësia që ajo të vijë në javët apo muajt në vijim.

“Jo dhe jo për fajin tonë. Ka një qasje krejt tjetër Partia Socialiste nga Opozita. Për shkak se Partia Socialiste e zbatoi këtë që në 2017 kur nxori parullën që ne bëjmë aleancë me popullin dhe jo me partitë. Atëherë ishte e bindur për mënyrën se si veproi, do t’i fitonte zgjedhjet siç i fitoi dhe vijoi të eci po në atë rrugë, po në atë skemë dhe nuk ka nevojë sipas mendimit të tyre. Flasim gati një vit para zgjedhjeve nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë gjatë javëve dhe muajve që do të vijnë. Por deri në këtë moment Partia Socialiste nuk është e interesuar që të ketë koalicione. Unë mendoj se prapa këtyre nismave që po shfaqen nga partitë e ashtuquajturës opozitë parlamentare, është dora e Partisë Socialiste. Është një pazar që është bërë mes asaj dhe kësaj opozite me qëllim që të garantojë votimin e paketës elektorale që po përgatitet dhe që sot shpresohet se do të mbyllet”, u shpreh Paskal Milo.

Kreu i PDS-së tha se pret përfundimin e paketës ligjore për zgjedhjet dhe më pas do të vendosë për rreshtimin politik të partisë së tij. I pyetur nëse do të shkonte djathtas, Milo dha këtë përgjigje.

Milo – Kombinacionet mbeten të hapura.

Denis Dyrnjaja – po krijimi një poli të tretë mbetet një alternativë dhe kush mund ta krijojë atë?

Milo – Sot ngjyrat politike janë trazuar kaq shumë, sa nuk flitet më për kampe politike, por për kampe pragmatiste. I gatshëm të bashkëpunoj me Agron Dukën nëse PAA dëshiron të provojë forcat më vete.

Top Channel