Media britanike: Restoranti shqiptar shërben mish ariu. Shqiponjat, dhelprat dhe majmunët…

16/06/2020 18:49

Një restorant në Shqipëri ofron darka me mish ariu të vrarë ilegalisht, si pjesë e një biznesi me botën e kafshëve të egra që në këtë vend duket se është ende jashtë kontrolli, shkruan media britanike Indenpendent.

Kërkuesit thanë se kjo është hera e parë që u ofrohet mish ariu i gatuar brenda Evropës dhe paralajmërojnë se mizoria ndaj kafshëve mund të sjellë përhapje të epidemive si ajo e koronavirusit.

Arinjtë, majmunët apo zogjtë e gjahut janë disa nga kafshët e gjalla që shiten në tregje të njohura online në Shqipëri, zbuloi hetimi i “Independent”, duke shtuar gjithashtu frikën për mbijetesën e disa prej këtyre specieve të rrezikuara.

Grupi i bamirësisë i mbrojtjes së kafshëve ‘Four Paws’ ka zbuluar dy nga tregjet kryesore online të vendit ku reklamohen arinj të murrmë dhe specie të tjera që janë ligjërisht të mbrojtura.

Në shumë nga fotografitë tregohen dhelpra, bufë e ujqër, me gojë të mbyllur ose të lidhur me zinxhirë.

Blerësit janë kryesisht pronarë restorantesh e hotelesh, që i përdorin më pas kafshët për të tërhequr turistë, apo për individë që i duan kafshët për t’i mbajtur si simbol të statusit të tyre, thanë punonjësit e bamirësisë.

Shqiponjat, simboli kombëtar i Shqipërisë, janë nga më të kërkuarat me blerësit dhe shpesh i sheh të balsamosura në vende publike.

Por gjuetia e specieve të rrezikuara, mbajtja e tyre në izolim apo shitja, janë të ndaluara me ligj në Shqipëri, dhe kjo vjen pas një rënie të theksuar të masës së botës së egër në vend.

Grupi Four Paws tha se pas raportimeve të abuzimeve disa nga reklamat ilegale ishin hequr, por të tjera dalin përsëri.

“Në thuajse të gjitha fotot e reklamave shihet mizori ndaj kafshëve, dhelpra me gojë në mbyllëse ose të vendosura në kuti plastike, këlyshë ariu të lidhur me zinxhirë apo më këmbë të lidhura”, tha Barbara van Genne, e grupit të bamirësisë.

Majmunët e zogjtë e gjahut gjithashtu mbahen në bare në Shqipëri si atraksione turistike, ndërsa dhelprat shiten për pellushin e tyre. Një restorant në Drilon madje reklamon mishin e ariut në menunë e tij, duke shtuar se është “i zonës” dhe “sipas sezonit”.

Edhe portali online i restorantit, konfirmonte ‘ofertën’ e restorantit.

Një zëdhënës i agjencisë shqiptare të mbrojtjes e ruajtjes së mjedisit tha për Independent:

“Ajo që është më alarmuese është jo vetëm se shitet mishi i ariut, por dhe cilësimi ‘brenda sezonit’ që të jep përshtypjen se paska një ‘sezon gjuetie për arinjtë’”.
“Por në fakt në Shqipëri nuk ka sezon gjetie për asnjë kafshë të egër pasi kemi një moratorium që ndalon gjuetinë e ariut në të gjithë vendin – masa u kalua në 2014 dhe në mars 2016 u shtua deri në mars 2021.”

“Kjo erdhi prej reduktimit të ndjeshëm të botës së egër në vend.”

FOTO GALERI
2/5

Top Channel